Përçarja mes aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit duket se tashmë është zyrtarizuar dhe nuk ka kthim pas. Interesat personale të palëve të përfshira në këtë debat duket se kanë dalë në sipërfaqe dhe zyrtarisht drejtuesit e saj kanë krijuar dy lëvizje të ndryshme. Lajmin e bën të ditur një prej themeluesve të kësaj lëvizje Kastriot Çipi, i cili shkruan në Facebook se tashmë janë dy lëvizje të ndryshme Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e drejtuar prej tij (AMT) si dhe Aleanca Zyrtare (AMTZ) e drejtuar nga aktivisti Ervin Goci dhe shoqëria e tij.
Përçaraja mes aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ka ardhur duke u thelluar. Pak ditë më parë, me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Kastriot Çipi do bënte me dije se pedagogu Goci e ka bllokuar në rrjetet sociale si dhe nuk i përgjigjet në numrin e telefonit.
Në postimin e tij publik, regjisori Çipi kërkon nga pedagogu Goci që ta sqarojë nëse ky i fundit i ka thënë aktivistit Pano Soko që është zotuar të pengojë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit që të zhvillojë debatin e radhës për sistemin zgjedhor në Teatrin Kombëtar Eksperimental (TKE) apo jo.
Duke qenë se nuk ka marrë ende asnjë përgjigje apo sqarim nga pedagogu Goci, atëherë regjisori Kastriot Çipi e ka bërë publike këtë kërkesë duke postuar edhe mesazhin privat që i ka dërguar në numrin e tij të telefonit.