Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar sot prokurorët, punonjësit e Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore të aplikojnë për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
“Jeni prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore, i gatshëm për të luftuar për drejtësinë që çdo shqiptar meriton? Jeni person me integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish të nevojshme për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish të Byrosë Kombëtare të Hetimit?”, thekson Ambasada e SHBA.
“Nëse mendoni se përmbushni kriteret për të drejtuar një institucion të rëndësishëm të programit kundër korrupsionit në Shqipëri, aplikoni për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH)”, nënvizon Ambasada amerikane.
Ambasada shton se, “Shqipëria është në hapat e fundit të zbatimit të reformës në drejtësi. Bëhu pjesë e historisë”.
SPAK njoftoi sot se Prokuroria e Posaçme dëshiron të punësojë një kandidat të përshtatshëm për t’u emëruar si Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).