Në një postim në Facebook” në lidhje me pjesëmarrjen e Shqipërisë në testin ndërkombëtar “PISA 2018”, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini nënvizon edhe përmirësimin që Shqipëria ka bërë në rezultatet e matematikës krahasuar me vitet e kaluara. “6,359 nxënës nga 336 shkolla nga i gjithë vendi, përfaqësuan Shqipërinë duke përmirësuar dukshëm rezultatin në matematikë krahasuar me vitet e kaluara”, – shkruan ajo, ndërsa shprehet gjithashtu se për Shqipërinë kjo është hera e 5-të që Shqipëria merr pjesë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), por për herë të parë në një testim digjital.
Vlen të theksohet se në vetëm 6 vite, përqindja e nxënësve të dobët në matematikë u ul me 19% nga viti 2012 në vitin 2018. Shqipëria ka qenë një ndër 79 shtetet pjesëmarrëse në “PISA 2018”. Mes lëndëve që janë pjesë e këtij testimi janë aplikimi i njohurive në Lexim, Matematikë dhe Shkenca.