Vazhdon përçarja mes aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me njëri-tjetrin. Kësaj rradhe regjisori Kastriot Çipi është ‘përplasur’ me pedagogun dhe aktivistin Ervin Goci.
Me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Çipi ka bërë me dije se pedagogu Goci e ka bllokuar në rrjetet sociale si dhe nuk i përgjigjet në numrin e telefonit.
Në postimin e tij publik, regjisori Çipi kërkon nga pedagogu Goci që ta sqarojë nëse ky i fundit i ka thënë aktivistit Pano Soko që është zotuar të pengojë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit që të zhvillojë debatin e radhës për sistemin zgjedhor në Teatrin Kombëtar Eksperimental (TKE) apo jo.
Duke qenë se nuk ka marrë ende asnjë përgjigje apo sqarim nga pedagogu Goci, atëherë regjisori Kastriot Çipi e ka bërë publike këtë kërkesë duke postuar edhe mesazhin privat që i ka dërguar në numrin e tij të telefonit.
Kujtojmë se prej dy vjetësh aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit luftojnë për një kauzë madhore të përbashkët për të mos lejuar prishjen e Teatrit Kombëtar, por kohëve të fundit duket sikur aktivistët kanë patur mosmarrëveshje mes tyre por ende nuk dihet saktë se për çfarë kanë patur debate, shkruan Newsbomb.
Postimi në Facebook
Meqë pedagogu i teorisë së komunikimit Ervin Goci më ka bllokuar në Facebook dhe nuk po më përgjigjet me sms, po ia bëj pyetjen publikisht:
Është e vërtetë se je zotuar të mos lejosh Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit të zhvillojë debatin e radhës në TKE?Kush komunikon me Ervin Gocin është i lutur të komentojë këtu, për të na komunikuar përgjigjen e tij. Unë do të shprehem sapo të sigurohem se ai e ka thënë vërtet atë fjalë, apo jo.
Mesazhi në telefon:‘Është e vërtetë se i ke thënë Pano Sokos se nuk do të na lejosh ti të zhvillojmë debatin për sistemin zgjedhor, të hënën në TKE?’, shkruan në mesazhin dërguar pedagogut Ervin Goci, regjisori Kastriot Çipi.