-Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel deklaroi se është e nevojshme të jepet një sinjal i qartë me unanimitet për zgjerimin vendeve si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Pas takimit të tij me Kryeministrin e Sllovakisë, Peter Pellegrini, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha se, “një temë tjetër e rëndësishme që ju duhet të diskutoni në javën tjetër, dhe ne do të vazhdojmë diskutimin që filluam disa muaj më parë është procesi i zgjerimit”.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme të japim një mesazh të qartë, një pozicion të qartë – kemi nevojë për më shumë siguri, më shumë stabilitet në botë në përgjithësi, por edhe tek fqinjët tanë. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të diskutojmë midis liderëve mundësinë për të modernizuar procesin e zgjerimit nga njëra anë dhe mundësitë që të japim me unanimitet, një sinjal të qartë për vendet e ndryshme si Shqipëria, apo si Maqedonia e Veriut”, tha Presidenti i Këshillit Europian.

“Ne do të përpiqemi në javët e ardhshme të vazhdojmë diskutimet në mënyrë që të jemi në gjendje të shprehim një pozicion të përbashkët europian. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë”, theksoi Michel.