Fermerët shqiptarë i shohin panairet ndërkombëtare si mundësi për gjetjen e tregjeve të reja për eksport të produkteve tona.
Prodhuesit shqiptarë të fruta-perimeve, kanë rritur interesin në promovimin e prodhimeve bujqësore “Made in Albania” në Panairi Ndërkombëtar “FRESKON Trade Show”, që zhvillohet nga data 2 deri 4 prill 2020, në Selanik, Greqi.
Ky është edicioni i 6-të i panairit “FRESKON Trade Show”, event që ka si fokus parësor promovimin e produkteve të frutave dhe perimeve të freskëta, ku kompanitë pjesëmarrëse do të ekspozojnë produktet e tyre në panair. Në të njëjtën kohë, panairi do të presë ekspozues ndërkombëtarë që paraqesin teknologjinë më të fundit të frutave, perimeve, logjistikës, makinerive dhe materialeve të paketimit.
FRESKON është një mjet kryesor për rritjen e tregtisë së ndërmarrjeve të frutave dhe perimeve të freskëta, në rajon e më gjerë, drejt tregut global.
Gjatë ngjarjes, ekspozuesit do të takohen me përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë, bizneset tregtare dhe rrjetet e kompanive shpërndarëse. Pjesëmarrësit në panair do të kenë mundësi jo vetëm të promovojnë produktet e tyre, por dhe të zgjerojnë kontaktet, vendosin partneritete të reja, diversifikojnë tregjet dhe shkëmbejnë përvojat.