Ka një përpjekje mjerane deri në kufijtë e absurdit, nga ana lidershipit të PD dhe njerëzve që e përfaqësojnë në media, për ta paraqitur rikthimin e opozitës brenda sistemit politik të vendit, si një dalje të mazhorancës nga Parlamenti. E për rrjedhojë, për ta shitur këtë mit të rremë të radhës, si një të vërtetë absolute. Si një fitore të madhe të opozitës dhe humbje të hatashme të mazhorancës! Le të pranojmë për një moment se qeveria apo mazhoranca socialiste, kur është ulur në tryezën e Këshillit Politik për të miratuar me konsensus reformën elektorale, paska dalë përfundimisht nga Parlamenti. Le ta marim të mirëqenë gjithashtu, edhe pretendimin se dialogu mazhorancë- opozitë do të çojë në përmbylljen e reformës deri në 15 mars. Po më pas? Çdo të ndodhë pas kësaj, meqë mazhoranca paska dalë nga Parlamenti dhe opozita jonë paska shpallur fitoren e madhe?! Ku do të shkojë drafti i dakordësuar? Çdo të bëhet me projektligjin e ri të reformës zgjedhore? Kush do ta miratojë atë? Kush është është ai institucion që do ti japi legjitimitet dhe fuqinë për ta detyruar më pas Presidentin e Republikës, ta dekretojë dhe ti hapet rruga, botimit në Fletoren Zyrtare? Si do të implementohet pas kësaj kjo reformë? Si do të zbatohet në praktikë, kur të vijnë zgjedhjet e radhës, në qershorin e 2021?
Dalja e mazhorancës tani nga Parlamenti, është i njëjtë me daljen e opozitës këtu e një vit më parë, kur dogji mandatet? Pra, sipas Lulzim Bashës dhe njerëzve të tij, deputetët e PS nuk do të rikthehen më në sallën e Kuvendit të hënën e tretë të janarit, si çdo vit tjetër? Në këto kushte, kush do ta miratojë ligjin e ri elektoral? Po ligjet dhe reformat e tjera? Të gjitha këto pyetje askush nga njerëzit e Lulzim Bashës nuk di tu përgjigjet. Për një arësye fare të thjeshtë. Sepse ajo që thonë ato, se mazhoranca doli nga Parlamenti, thjeshtë NUK është e vërtetë. Pasi Këshilli Politik ku janë ulur këtë javë palët politike, është thjeshtë një tryezë konsultative. Po më pas?
Më pas, për shkak të vullnetit të afishuar nga mazhoranca dhe opozita e re parlamentare e përfaqësuar nga Rudina Hajdari, drafti që do dakordësohet në Këshill, do të kalojë për miratim në Parlament. Sipas vullnetit të qyetarëve të këtij vendi, të shprehur me votë në zgjedhjet e 2017, mazhorancën aty deri në zgjedhjet e reja, e kanë socialistët. Të cilët, do të jetësojnë përmes votës së tyre në sallën e Kuvendit, këtë reformë të re elektorale. Kaq e thjeshtë është. Ndaj propaganda e opozitës së Lulzim Bashës për ta shpallur rikthimin e saj në sistemin politik të vendit, si dalejn e mazhorancës nga Parlamenti, është thjeshtë një mit i rremë. Një mit i ngritur mbi të pavërteta, mbi gënjeshtra dhe lojëra fjalësh. Një mit që rreket të paraqesë uljen e mazhorancës në tryezën e dialogut me opozitën, jo si një akt normal politik, por si një fitore të madhe të Lulzim Bashës.
Të duash të paraqesësh dhe ta festosh humbjen si fitore, është një kulturë e vjetër në Ballkan, që i ka rrënjët tek mitet e vjetra disa shekullore, të fqinjëve tanë. Por, të kërkosh sot në shek. XXI të paraqesësh rikthimin tënd në sistemin politik të vendit, si daljen e kundërshtarit prej tij, është më shumë se një mit i rremë. Është një gënjeshtër aq e trashë politike, sa edhe ajo e një viti më parë kur dolën nga Parlamenti me triumfalizmin e dikujt që kishte fituar shumëçka, pikërisht në momentin kur u nis që ti humbte të gjitha!Të gënjesh sot kur ske asnjë arësye, siç bëri dikur kur ishte në hallin e tij më të madh, duket thjeshtë si një sëmundje e pashërueshme e Bashës. E për këtë nuk ka ilaç. As tryezë dialogu. As Këshill Politik. Por vetëm Doktor. E për këtë demokratët, i kanë dhënë mbi shpinë, të vetmin që ai e meriton me sa duket aq shumë. Ndaj ka ethe, edhe kur nuk ka shkaqe.