Nga Alfred Peza

Opozita aktuale shqiptare ka një veçori të jashtëzakonshme, që i jep asaj në fund të fundit, një identitet të spikatur, që e bën të dallojë nga të gjitha llojet e opozitave të tjera, jo vetëm në Shqipërinë e këtyre 30 viteve të fundit. Ajo i ngjan një sfinksi, i cili në mitologjinë greke simbolizonte një qenie me tiparet e njeriut, me krahët e shmendëve, me trup luani e me bisht gjarpëri, që u jepte kalimtarëve gjeza të vështira, për ti gëlltitur më pas, ngaqë nuk i zgjidhnin dot. E thënë ndryshe, është si një njeri të cilit nuk i kuptohen mendimet, ndjenjat e qëllimet. Duke i bërë në rastin aktual, mbështetësit dhe përkrahësit e opozitës sonë, që të zhgënjehen më shumë me udhëheqësit e vet, se me kundërshtarin përballë.

Kjo është ndoshta edhe arësyeja, se përse aq shumë personazhe, personalitete dhe njerëz me kontribute të jashtëzakonshme që nga dita e themelimit të Partisë Demokratike e deri më sot, e shohin veten krejt papritur e papandehur jashtë saj. Jashtë strukturave. Jashtë listave të kandidimit. Jashtë fokusit, planeve dhe jashtë çdo lloj mundësie për të vijuar që të japin kontributin e tyre, në shërbim të së djathtës shqiptare. E mbrujtur në shkollën politike të Berishës, ajo nuk rreket që të shfrytëzojë hapësirat politike, filozofike, postideologjike, programore dhe gjithçka tjetër që ofron universi i pamatë i lojës në sistemet me demokraci të konsoliduar, funksionale e liberale. Përkundrazi. Ajo është një opozitë që rreket të shfrytëzojë çdo tension, çdo hapësirë e të çarë të mundshme të sistemit, apo ti shpiki edhe vetë kur ato nuk ekzistojnë, për ta mbajtur intrigën e lojës gjallë, me çdo mjet e me çdo çmim.

Ajo është një opozitë që gjakon, që rritet, shtohet e gjallërohet, mobilizohet dhe prodhon frymë vetëm në protesta, në demostrata, në kriza, në ngërçe, në përplasje, në “revolucione molotovësh”, në lojën jashtë rregullave, normave, sistemit dhe institucioneve. Ajo është një opozitë që kërkon gardhe dhe jo të rrëzojë mure. Kërkon prita dhe jo ura për të kaluar në anën tjetër. Duke i ndarë njerëzit, përkrahësit, mbështetësit, votuesit e kundërshtarët si me thikë, sipas parimit: O me mua, o kundra meje. Rrugë të mesme nuk ka! Ajo është një opozitë që në çdo rast është “kampione bote” për të gjetur rrugën nëpër shtigje, rrëpira, gryka, gërxhe, hone, shpella, skarpate, kthesa, rrugica e ngushtica. Ajo është një opozitë që e humbet rrugën sapo del në autostradë. Mbetet në vend e hutohet. Është e pasigurtë dhe fillon të alarmohet, të futet në panik e në stresin e pasigurisë, sapo futet në korsitë e gjëra të lojës së madhe politike. Me rregulla. Me norma. Me parime. Me programe. Me alternativa. Me marrëveshje. Me kode. Me vija të bardha. Me semaforë. Me tabela. Me protokolle.

Kjo javë që sapo lamë pas, është pasqyra më e mirë dhe më e qartë për ta parë këtë qasje dhe këtë tipar të veçantë identitar të opozitës sonë. E keni vënë re besoj se iu desh një vit që të vinin vërdallë duke eksploruar të gjitha limitet e idenitetit të vet politik, brenda e jashtë sistemit, duke besuar se vetëm kështu mund të fitonin. Mund ta detyronin mazhorancën që të ulej për ti ofruar marrëveshje. Për të negociuar me ta. Për ti dhënë pushtetin në tavolinë. Për të firmosur një amnisti politike, që do ti imunizonte nga përballja, me institucionet e reja të drejtësisë. Kanë një javë që janë ulur në tryezë, si e vetmja deriçkë që u kishte mbetur për tu rikthyer në sistemin politik e demokratik të vendit, nuk dijnë se çfarë të bëjnë me marrëveshjen e arritur për të miratuar me konsensus reformën e re zgjedhore. Ndaj as nuk qeshin dhe as nuk qajnë dot. As nuk gëzojnë dhe as nuk mërziten. As nuk shpallin fitoren dhe as nuk pranojnë humbjen. As nuk ecin përpara dhe as nuk i bëjnë këmbët, që të kthehen pas.

Si shoqëri duket sikur jemi futur në një sferë gjigande me vakum shurdhues. Është klima e prodhuar këto ditë, nga normaliteti politik në vend. As opozitarët dhe as mbështetësit e tyre publikë, nuk po dinë se çfarë të bëjnë me të. Është një qetësi vrastare, për të gjithë ata që nuk janë mësuar që të ecin përpara, sipas të gjitha normave dhe rregullave të një udhëtimi modern, me parametra e standarde. Me një fjalë kanë dalë prej një jave në autostradë dhe e kanë humbur sërisht rrugën e toruan. Ndaj, dikush duhet ti inkurajojë që të ecin me guxim përpara, drejt destinacionit të tyre. Është çështja sa të mësohen dhe ta shijojnë ndjesinë e këtij udhëtimi të ri komod. Do jenë po ata vetë, që nuk do të duan të rikthehen më, nëpër rrugicat dhe shtigjet që nuk i çuan dot gjëkundi. As ata, as Shqipërinë.