Qeveria shqiptare parashikon që në muajin maj të këtij viti të emetojë eurobondin e ri në tregjet ndërkombëtare. Shuma që pritet të kërkojë qeveria do të jetë rreth 62 miliardë lekë apo 507 milionë euro dhe do të përdoret për të plotësuar nevojat e ekonomisë për financim apo edhe për të riskeduluar borxhin aktual me qëllim uljen e kostove. “Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kërkon të prokurojë shërbimin e një firme ligjore të specializuar në dhënien e konsulencës ligjore për emetimin e eurobondit të katërt, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë, që të shërbejë si konsulent ligjor në lidhje me emetimin e këtij eurobondi”, thuhet në dokumentet e tenderit. Fondi limit është rreth 24 milionë lekë dhe afati i aplikimeve është data 28 janar.
Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin nis nga data e nënshkrimit të kontratës deri në fund të vitit. Eurobondi i parë i emetuar në vitin 2010, doli me një interes rreth 9% dhe më pas në tregtim, për shkak të përkeqësimit financiar dhe fiskal në vend në vitet 2011-2012, shkoi edhe në nivele 11-12%. Në vitin 2015 kemi shënuar daljen e dytë me 450 milion euro, me afat maturimi 5-vjeçar dhe me një normë interesi 5,75%. Në muajin tetor të 2018-ës, qeveria shqiptare realizoi eurobondin e tretë në tregjet ndërkombëtare, me vlerë 500 milionë euro duke përfituar një normë interesi 3,55%, me afat maturimi 7-vjeçar.