Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi zhvilluan sot një vizitë në zonat e prekura nga tërmeti në Durrës. Komisioneri Várhelyi u informua se në këtë fazë për sa i përket dëmeve, në Durrës ka rreth 600 ndërtesa të dëmtuara, duke filluar nga ndërtesa 3-katëshe në ndërtesa me shumë kate. “Këto janë ndërtesa private, pasi kemi po ashtu edhe ndërtesa publike të dëmtuara. Kemi 6 nivele dëmtimi dhe këto që po shohim janë të nivelit 3”, informoi Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, njëkohësisht drejtuesi qendror i Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore.
Kryeministri Rama u shpreh se “këto janë ndërtuar gjatë periudhës së komunizmit me punë vullnetare”. “Kolonat janë në rregull, por vetëm muret janë problematike. Tërmeti ka qenë shumë i fortë, po të kishte zgjatur dhe disa sekonda më shumë do të kishte dëme të tjera”. Kryeministri u shpreh se “ne tani do të fillojmë planet për të ndërtuar në Durrës 1 ose 2 lagje tërësisht të reja dhe në këto lagje do të vendosen qytetarët sepse ka edhe ndërtesa që janë të pabanueshme dhe të pariparueshme, kryesisht janë nga koha e komunizmit dhe për këto do të duhen shtëpi të reja”, tha Rama.
Më tej, Kryeministri Rama dhe Komisioneri Várhelyi vizituan edhe godinat e dëmtuara nga tërmeti në zonën e Lulishte 1 Maji, në Durrës, ku panë nga afër punimet që po kryhen për meremetimin e tyre. “Këtu po bëhen ndërhyrje, po rregullohen dhe riparohen të çarat. Për shumë pak kohë kjo ndërtesë do të jetë në rregull. Siç e shihni janë bërë riparimet e duhura. Katet e ulëta kanë pasur problemet më të mëdha. Në këto raste ne i kemi kërkuar ndërtuesve që të riparojnë ndërtesat. Nuk mund t’ua kërkonim banorëve rindërtimin sepse nuk është e drejtë”, tha Rama.
Kryeministri informoi se “në të njëjtën kohë janë bërë disa arrestime këtu në Durrës dhe në Tiranë gjithashtu”. “Kemi arrestuar më shumë se 30 persona për shpërdorim detyre ose mosbërjen e raportimeve në mënyrën e duhur, apo mos supervizime në mënyrën e duhur. Po ashtu po punojmë edhe për një legjislacion të ri që të mbulojë pikërisht këtë çështje, sepse edhe njerëzit e kërkojnë këtë gjë. Të sigurohemi që në rast se do të ketë tërmete të tjera të bëhen gjërat më mirë. Por është shumë e vështirë dhe nuk është e mundur asgjëkundi që gjërat të bëhen lehtë dhe shpejt”, tha Rama. Komisioneri Várhelyi u shpreh se “një ide që është menduar dhe duam ta diskutojmë është që këto fonde që do të merren edhe pas konferencës të futen në një Trust, të bëhen pjesë e një Trusti dhe pastaj të shikojmë për menaxhimin e tyre. Megjithatë ende po e mendojmë këtë çështje, nëse kjo gjë është e mundur”, tha Komisioneri.
Kryeministri Rama u shpreh se “në fund të fundit ne duhet të ndihmojmë qytetarët si fillim, sigurisht që kemi edhe ndërtesa publike”. “Të gjitha ndërtesat që shihni u privatizuan në ’91, të gjitha apartamentet dhe banesat. Kjo është arsyeja se pse nuk kemi ndërtesa publike për të jetuar, për akomodim”, tha Rama.