Jeta ka qenë e padrejtë për Namik Koxhaj në Kodër Kamëz, i cili do të humbiste nga jeta dy djemtë e tij dhe bashkëshorten. Situata do të rëndohej edhe më shumë,
ku pas tërmetit të 21 shtatorit pllakosi dëshpërimi, sepse dëmet e shkaktuara e bënë të pabanueshme banesën e vjetër. Por sot është dita e një fillimi të ri. Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj i dorëzuan familjes Koxhaj çelësat e banesës së re ku jeton bashkë me një nga dy vajzat.
Kreu i bashkisë Veliaj deklaroi se rindërtimi i banesave nga tërmeti i parë janë mbyllur, ndërkohë që është gati edhe nisja e punës për ndërtimin e lagjeve të reja ku familjet që janë prekur nga tërmeti do të grupohen duke pasur pranë edhe shërbimet e nevojshme. “Në tërmetin e dytë do të zbatojmë porosinë tuaj, do t’i mbledhim aty ku janë. Është bërë gati, siç latë porosi, i gjithë terreni Vaqarr, mbaroi terreni në Ndroq, Pezë edhe në Kashar. Kemi gjetur edhe një terren në Zallherr, do ta shoh rrugës për te një shtëpi tjetër, ta shoh edhe terrenin aty dhe ne jemi gati me pastrimin de gjithë territorin e kopsitur. Por rasti i Namikut, duke qenë se është në një lagje të banuar, këtu po bëhet kopshti te rruga tjetër. Pasi të mbarojë edhe kopshti do të fillojmë me gjithë rrugicat. Blloku poshtë i Kodër-Kamzës sapo ka filluar. Në anën tjetër në Institut shkolla tjetër që keni financuar ju, shkolla “Nënë Tereza” do të jetë shkollë 9-vjeçare dhe e mesme në hyrje të Institutit Bujqësor në krah të majtë, që pamë atë ditë kur u shembën ndërtesat. Në momentin që kompletohet lagjja, çerdhja, kopshti, shkolla nuk ka nevojë që fëmijët të shkojnë dhe të dynden në Laprakë”, deklaroi Veliaj.
Ai shtoi se ky është viti i tretë që zona e gjithë kjo zonë nuk ka njohur përmbytje si pasojë e rehabilitimit të Lumit të Tiranës, sikurse ka ndodhur për vite e vite me radhë. “Viti i tretë ky që nuk kemi më probleme me përmbytjet te lumi, që kur mbaruam projektin e lumit. Kemi filluar tani gjithë këto parqet lineare. Para pak ditësh ishim në anën tjetër të lumit, te familja te “5 Maji”. Kështu që në momentin që janë stabilizuar shqetësohemi për halle të tjera, por jo më për përmbytje dhe shkolla, kopshte, çerdhe që kanë qenë hallet e para 4-5 viteve”, theksoi Veliaj.
Menjëherë pas tërmetit të 21 shtatorit, Bashkia e Tiranës mori përsipër rindërtimin e të gjithë shtëpive të shpallura të pabanueshme. Thirrjes së saj iu bashkuan edhe shumë kompani të cilat bënë të mundur dhe futjen e familjeve të prekura në banesat e reja në kohë rekord.