Kryeministri Edi Rama nga Berlini ku mbajti një konference për shtyp me kancelaren Angela Merkel, vlerësoi ndihmën e Gjermanisë në procesin e rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit. Rama tha se Konferenca e Donatorëve, që pritet të mbahet më 17 shkurt në Bruksel, do të jetë ndihmë e madhe për vendin tonë, pasi bazuar në raportin e dëmeve, shuma për rindërtimin është “përtej mundësive tonë”, siç Rama u shpreh.

“Unë kam ardhur enkas për të diskutuar për konferencën e donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve për procesin e rindërtimit, që u bazua në raportin e dëmeve në bashkëpunim me BE, Kombeve të Bashkuara dhe Bankën Botërore përmban një shumë që është përtej mundësive tona për ta përballuar vetëm. Dua t’ju falenderoj për interesimin tuaj dhe për ndihmën e parë nga Gjermania, një ndihmë që ka qenë lehtësuese në ato momente tragjike”, tha Rama.

Në fokus të fjalës së tij, kreu i qeverisë vuri edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku tha se ka shumë shpresa për sinjale pozitive nga komisioni i ri evropian, për vetë politikën e që që po ndjek edhe në dimensionin gjeopolitik, përveçse atij teknik.

“Diskutojmë edhe për perskeptivën europiane. Dëshiroj edhe një herë të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën sesi ka nisur puna e komisionit të ri evropian dhe të them që është shumë e rëndësishme ajo që nënvizohet, një dimension më i qartë edhe gjeopolitik përveçse dimensionit tradicional teknik, do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe gjithë Rajonin”, u shpreh kryeministri.