Pas 30 vitesh ka nisur edhe eliminimi i radhëve për aplikim në Hipotekë falë revolucionit dixhital 2020, duke eliminuar radhët, burokracitë dhe korrupsionin. Kryeministri Edi Rama theksoi të mërkurën se “sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës mundëson përmes “e-albania.al” 52 aplikime për shërbime nga smartfoni apo kompjuter më i afërt”.

“280 000 aplikime në sportel gjatë një viti ose 8 vjet radhë pritjeje sot eliminohen dhe 70 % të dokumenteve të dosjes së aplikimit sot i sigurojnë punonjësit e hipotekës, për llogari të qytetarit”, – shprehet Rama. Qytetari, pasi futet në faqen e-Albania, shkon tek e-shërbime, ku ndodhet lista e shërbimeve elektronike sipas institucioneve. Aty gjendet Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ku renditen të gjitha shërbimet online që ofron kjo agjenci.

Nëse futesh te seksioni i aplikimeve për lëshim vërtetimi, nevojitet fillimisht të krijohet një aplikim i ri. Më pas përzgjidhet ZVRPP, tek e cila drejtohet kërkesa. Pas kësaj plotësohen të dhënat e aplikantit, më pas të dhënat e përfaqësuesit, të dhënat e pronës. Pas kësaj zgjidhet shërbimi që kërkohet, ngarkohen dokumentet që kërkohen nga aplikanti. Përpara se ta dërgojë aplikanti ka mundësi të shohë përmbledhjen e kërkesës së tij, të cilën më pas e konfirmon dhe e dërgon.