“Reformimi dhe modernizimi i shërbimeve publike tanimë është realitet i prekshëm që redukton ndjeshëm radhët e gjata në sportele”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti.
Gjylameti tha se “zyrat e ADISA,-s nëpërmjet https://e-albania.al/ asistojnë qytetarët për 472 shërbimet e reja online përveç mbi 150 shërbime qendrore dhe vendore që kanë ofruar më parë”.
“Duke klikuar në https://e-albania.al/ ju mund të kryeni lehtësisht procedurat për dokumente shtetërore që deri dje kërkonin kohë e mund zyrë më zyrë”, tha Gjylameti.
Ajo tha se “qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm për të tërhequr dokumentin e kërkuar, kur kjo është ende e pamundur të bëhet në rrugë dixhitale, apo kur prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin”.
“Në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime (me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim) do të bëhen vetëm online në https://e-albania.al”, shtoi ajo.