Shqipëria ka hyrë në një epokë tjetër në marrëdhëniet e qytetarit , njeriut të zakonshëm me administratën përmes një revolucioni dixhital që ka filluar dhe deri në fund të vitit 2020 do të bëjë të mundur që 95 % e të gjitha shërbimeve që jepen në sportelet e shtetit nuk do ta kenë më të nevojshme qytetarin fizikisht. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend, duke iu përgjigjur deklaratave të deputetes së opozitës parlamentare, Rudina Hajdari.

“Ju thoni që sot është administrata më e korruptuar që keni parë ndonjëherë, kurse unë them diçka tjetër korrupsioni i administratës dhe sidomos korrupsioni që është problem për njeriun e zakonshëm sot luftohet më shumë se kurdo herë tjetër dhe sot është e mundur të thuhet si asnjëherë tjetër më parë që po shkon dhe do të shkojë gjithmonë e më shumë duke duke u tkurrur”, – nënvizoi Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se “qytetarët për 95% të shërbimeve atë bënin duke ikur e ardhur, duke ndenjur nëpër radha e duke paguar rryshfete, ta bëjnë nga telefoni dhe kompjuteri më i afërt. Ky është fakt, nuk është opinion apo shpifje siç e quani ju, që nuk ndani dot opinionin nga shpifja, por kjo është temë tjetër”.

“Ky është fakt dhe lehtësisht i verifikueshëm, ju jeni deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ju pretendoni që jeni e reja që po vjen për të shembur të vjetrën. Me çfarë do e shembni të vjetrën duke i fryrë të njëjtës baltë që bëhet pluhur e mbulon gjithçka siç bënin ata që ju udhëhiqnin ju deri dje”, – tha Rama. Kryeministri Rama e ftoi Hajdarin të shkojë e të shikojë në çfarë faze është ky proces. “Ju keni samartfon, përdoreni dhe shikoni sa thjesht mund të aplikoni online”, – tha Rama.