Roma e Milano janë dy qytetet italiane të renditura në 10 vendet e para në klasifikimin e vendeve me trafik më të rënduar në botë. Kryeqyteti italian, Romë është i dytë në botë pas Bogotá për trafikun që i kushton qytetarëve gati 11 ditë të humbura në vit. Sipas studimit “Global card scorecard di Inrix” i cili ka analizuar bllokimin rrugor nga trafiku në 200 qytete në 38 vende të botës, Roma renditet në vend të dytë ku trafiku rrugor llogaritet t’i kushtojë banorëve të këtij qyteti rreth 254 orë në vit të kaluara në pritje të zhbllokimit rrugor.
Në vend të parë në këtë analizë renditet kryeqyteti kolumbian Bogotá me 272 orë, në vend të tretë Dublini me 246 orë trafiku në vit. Më pas renditet Parisi e qyteti rus Rostov me 246 orë e Londra me 227 orë. Në “top 10” e qyteteve me trafik më të rënduar në botë është dhe një tjetër qytet italian, Milano i cili renditet në vend të shtatë me 226 orë trafiku në vit. Për shoqatën e konsumatorëve italianë motivi i këtij trafiku të madh në Romë shpjegohet me faktin se romanët nuk kanë besim tek transporti publik dhe përdorin çdo ditë automjetet private. Gjithashtu mungesa e kontrollit nga policia rrugore, parkimet e parregullta përkeqësojnë qarkullmin rrugor duke krijuar radhë kilometrike me automjete.