Pas pothuajse dy vitesh nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, Lulzim Basha u kujtua se zgjedhjet ishin të blera dhe në shkurt të vitit 2019, filloi protestat kundër qeverisë, të cilën e akuzon se ka ardhur në pushtet me votat e blera me paratë e krimit.
Ndërkohë, pas një proteste të zhvilluar në 16 shkurt 2019, kreu i Republikës së re, mori një vendim ekstrem, duke djegur mandatet e deputetëve.
Djegia e mandateve u pasua edhe me rreth 10 protesta të tjera kombëtare, ku nuk munguan edhe aktet e dhunës, bomba molotov kundër uniformave blu, deri edhe zjarr para parlamentit e kryeministrisë. Rama ra, tha Basha pas protestës së parë!
Për më tepër Lulzim Basha deklaroi shpesh herë publikisht, se zgjedhje në 30 qershor nuk do të kishte, se Edi Rama kishte rënë, e të tjera si këto.
Por, fakti është se zgjedhjet e 30 qershorit u bënë edhe pse Basha vendosi t’i bojkotojë dhe t’i dhurojë në tavolinë Edi Ramës 61 bashki, 59 prej të cilave vijon t’i drejtojë edhe sot.
Por, protestat e Lulzim Bashës rezultuan të ishin vetëm një dështim i radhës, ai që betohej se stërbetohej se s‘do kishte zgjedhje, në 30 qershor 2019, u “struk” si lepuri dhe nuk u dëgjua.
Më pas mori pushime, për shkak të “lodhjes së madhe”, dhe tha se në shtator do të rikthehen protestat e fuqishme. Në fakt erdhi shtatori e iku, dhe asnjë protestë nuk pamë. Tashmë jemi në janar 2020 dhe ende skemi parë të mbahet ndonjë protestë.
Por, shohim një Lulzim Bashë të zbutur, i cili pas tërmetit të 26 nëntorit, tregoi një sjellje si të ishte anëtar i Shtabit të Emergjencave Civile të Edi Ramës.
Në një kohë që opozita do të duhet të ishte në këmbë, t’i vinte kufij qeverisë, të kërkonte me domosdoshmëri mbajtjen e përgjegjësive, në fakt kryetari i Republikës së re bën të kundërten.
Del në terren dhe i raporton Ramës çdo problem që ka dhe pastaj deklaron se sdo të bëjë foto me Ramën.
Ndërkohë që po bëhet një vit që nga diegia e mandateve, fakti është se Lulzim Basha në bilancin e tij shënon vetëm dështime dhe e vetmja “fitore” është se i ka dhuruar Edi Ramës edhe pushtetin legjislativ edhe atë vendor.(CNA.al)