Shqipëria duket se po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen e sipërmarrësve të huaj. Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri, për vitin 2019 pritet të kalojnë 1 miliard euro duke u rritur me rreth 10% nga viti 2018. Pozicioni gjeografik, qasja në treg të lirë, mjedis miqësor për biznesin, modeli one stop shop, mundësi investimi të larmishme, mbështetje ligjore për investimet e huaja, sistem tatimor i favorshëm, fuqi punëtore konkurrues, infrastrukture në zhvillim si dhe të qenurit destinacion turistik global janë 10 arsyet pse duhet të investosh në Shqipëri.
Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri u rritën me 7.3% për 9 mujorin e vitit 2019, duke arritur shifrën e 810 milionë eurove, ç’ka konfirmon projeksionet e qeverisë, që viti 2019 të tejkalojë totalin e 1 miliard eurove. Gjithashtu, vetëm për tremujorin e tretë të 2019-ës, investimet e huaja regjistruan vlerën e 272.2 milionë eurove, ose 1.3% më të larta krahasuar me 268.6 milionë eurove në tremujorin e tretë të 2018.
Në Shqipëri gjenden tashmë filialet e disa prej kompanive më të rëndësishme, të cilat operojnë në sektorin telekomunikacionit dhe IT, veshjeve dhe automotivës kryesisht. Çdo investitor i huaj mbështetet nga Agjencia për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) që në hapat e parë të themelimit të investimit në vendin tonë dhe vazhdon t’i vijë në ndihmë në bashkëpunim me institucionet e tjera të linjës.
Disa nga investimet e huaja të suksesshme në vendin tonë janë: “Fusion BPO”, “Yura Corporation”, “Forschner”,”SV Mega”,”Innovaway”,”COTEX Textile”,”Giobert”,”Delmon”, “PSZ Albania”, etj.