Me 1 janar të këtij viti Shqipëria mori zyrtarisht drejtimin e OSBE-së, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Kjo duket se do të jetë një nga sfidat kryesore të diplomacisë shqiptare për 2020.
Zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Fjorela Beleshi thotë se “kjo është hera e parë që Shqipëria ka presidencën e një organizate kaq të rëndësishme dhe kjo nuk vjen vetëm në një moment kritik që është kriza politike në Shqipëri, por edhe në një moment kritik për historinë politike të zhvillimeve më të fundit në botë.”
Një tjetër çështje që mbetet e hapur është dhe aspirata për integrimin europian. Pranvera sjell zhvillime në këtë drejtim, ku sytë do të jenë nga Samiti i Zagrepit që do të mbahet me 6 dhe 7 maj.
Xhafaj e thotë me siguri se nuk ka asnjë lloj mundësie që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut.
“Nuk ka asnjë logjikë politike të jashtme apo ekonomike kjo që thuhet.”
Lidhur me nismën e shumë debatuar të minishengenit ballkanik, ai thotë se “fatkeqësisht Kosova dhe Bosnja janë jashtë këtij procesi. Duhet të ishte një proces i hapur për të gjithë.Kjo është një nismë që është në benefitin e qytetarëve shqiptarë në dy anët e kufirit”.
Sipas Xhafajt, në Kosovë ka një politizim të skajshëm të kësaj çështje.
“Qëndrimi i Kosovës është terësisht politik dhe ka një qëndrim që është i unifikuar kundër Serbisë duke qenë se përceptimi është që ka një mbështetje të gjerë politike popullore në Kosovë kundër këtij diskutimi me Serbinë. Në Shqipëri nuk është kështu. Shqipëria nuk ka kërkuar në asnjë moment që Kosova të heqë dorë nga një apo diçka tjetër.”