Ambasadorja amerikane në Malin e Zi, Judy Rising Reinke, dënoi sulmin ndaj ambasadës malazeze në Beograd dhe tha në profilin e saj në Twitter se ishte e tronditur nga përdhosja e flamurit të këtij vendi. Ajo iu bëri thirrje palëve për dialog. “Sulmi ndaj ambasadës malazeze është absolutisht i papranueshëm. Dallimet e mendimeve duhet të zgjidhen përmes dialogut, jo dhunës dhe vandalizmit”, tha Reinke
Më herët, kryeministri malazez Dusko Markovic dhe ministria e jashtme kishin reaguar ashpër ndaj mësmyjes së misionit diplomatik. “Qëndrimi i autoriteteve serbe është befasues. Mali i Zi po përballet edhe një herë me sfidën e mbrojtjes së pavarësisë dhe lirisë. Ne do ta mbrojmë vendin tonë përballë urrejtjes që ka pllakosur nga të njëjtët aktorë brenda dhe jashtë kufijve të tij,”- tha shefi i ekzekutivit.
Në deklaratën e ministrisë së jashtme ndërkohë I bëhej thirrje autoriteteve serbe që t’i përgjigjen urgjentisht këtij akti vandalizmi. Mbështetës të Kishës Ortodokse serbe dhe tifozë të Yllit të Kuq sulmuan ambasadën e u përpoqën t`i vinin zjarrin flamurit malazez, i cili është zëvendësuar me shpejtësi mëngjesin e se premtes.
Situata në Mal të Zi është tensionuar ndjeshëm pas vendimit të Parlamentit për të kaluar një ligj për fenë. Sipas komunitetit serb në Mal të Zi dhe zyrtarëve në Beograd, me këtë ligj Podgorica synon të përvetësojë pronat e Kishës Ortodokse.