Autostrada Tiranë-Durrës ka qenë gjithmonë një zonë e rrezikshme për aksidente, pasi shoferët guxojnë të kalojnë limitin e shpejtësisë.

Mbrëmjen e kaluar, policia ka dalë me radarë për të parandaluar drejtuesit e mjeteve dhe pezulloi tetë leje drejtimi deri në orën 01:00 të mëngjesit të datës 04.01.2020.

Sipas videos të publikuar nga Policia e Shtetit, ata ecnin me një shpejtësi nga 156 km/h deri në 170 km/h.

“Gjithashtu prej mëngjesit të datës 03.01.2020, deri në orët e mbrëmjes në të gjitha rrugët e qytetit janë ushtruar kontrolle me radar, ku janë pezulluar 6 Leje Drejtimi për shpejtësi që varionin nga 30 deri në 40 km/h më shumë se norma e lejuar brenda në qytet, 22 masa të tjera për shpejtësi pa sanksion plotësues si dhe 13 masa administrative për mos rregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme, veçanërisht në qendrat e banuara dhe në afërsi të vendkalimit të këmbësoreve, raste të cilat janë referuar Organit Administrativ Shtetëror ne Drejtorinë Vendore te Policisë Tiranë, për të cilat parashikohet një dënim me gjobë nga 10.000-40.000 të reja“, njoftoi policia.

U arrestuan 10 drejtues mjetesh, ku gjashtë ishin të pa pajisur me leje drejtimi ndërsa katër të tjerë po drejtonin makinën në gjendje të dehur.

“Nisur edhe nga aksidentet e ndodhura në ditët e para të vitit të ri, si dhe nga konstatimet e shkeljeve të shumta, të cilat janë rrezik potencial për jetën e përdoruesve të rrugës, Policia Rrugore do monitorojë me radarë rrugët e urbane dhe interurbane të Tiranës, me qëllimin e vetëm parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja fatale për jetën dhe shëndetin e përdorueseve te rrugës“, njoftoi Policia.