Të gjitha shërbimet që ofrohen nga portali e-Albania, janë të aksesueshme edhe për shtetasit shqiptarë me banim jashtë vendit.
Administrata Tatimore informoi sot se “shërbimet online që ofrohen nga administrata tatimore nga portali e-Albania, janë të aksesueshme edhe për këta shtetas”.

Administrata tatimore shpjegon edhe disa raste se si mund të aplikohet.

“Nëse ju kërkohet dëshmi se nuk zhvilloni aktivitet privat në Shqipëri, ju mund të aplikoni në portalin e-Albania, për të marrë “Vërtetimin për Individë të Paregjistruar”. Pasi të identifikoheni në portal me ID tuaj, ju mund të aplikoni për këtë vërtetim dhe brenda një dite pune, do ta gjeni të depozituar tek “dokumentet e mia”. Nëse keni qenë të punësuar në Shqipëri mund të merrni vërtetim për kontributet për individë nga viti 2018 e në vijim. Në vitin 2020 do pajiseni me të dhëna nga janar 2019 e në vijim. Nëse keni patur apo keni aktualisht aktivitet privat, mund të merrni vërtetime për statusin e subjektit, për qarkullimin e 3 viteve të fundit, pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, vërtetim për regjistrim investitori, certifikatë rezidence tatimore të subjektit që ushtron aktivitet në Shqipëri, etj”, bën të ditur DPT-ja.

Shtetasit shqiptare që jetojnë jashtë vendit, nëse janë tatimpagues, mund të kryejnë deklarimet, apo edhe deklarimin e të ardhurave personale (DIVA), nëpërmjet e-filing në www.tatime.gov.al / e-Shërbime.