Kryeministri Edi Rama u ndal ditën e sotme në Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku prej 1 janarit do të ofrohen online 50 shërbime publike. Rama tha se revolucioni dixhital, ndryshon rrënjësisht marrëdhënien e drejtuesve të automjeteve me shtetin. Po ashtu kreu i qeverisë bëri me dije se në rast se qytetarëve ju vonohet dokumenti përtej afatit ligjor, do të ketë gjoba. Ai sqaroi se është krijuar përshtypja e gabuar që do mbyllen sportelet, duke thënë se nuk do të mbyllen dhe as do të ketë shkurtime të vendeve të punës, por përkundrazi do të dyfishohet puna.
“Nëse qytetari aplikon dhe i thua që për 15 ditë do e marrësh, ai do e marrë. Dokumenti do të jepet brenda afateve ligjore dhe në rast se ndonjë dokument që duhet të jepet brenda administratës mungon, atëhere qytetari nuk do të presë, por atëherë do të gjobitet drejtuesi i zyrës përgjegjëse nga rroga e tij, për shkelje të ligjit”, u shpreh Rama. Ai detajoi se gjobat do të përsëriten dy herë dhe se herën e tretë do të largohet nga puna, kur dosja ekziston dhe dokumenti vonohet.