Portali e-Albania do i japë mundësinë qytetarëve që të kryejnë procedurat online, pa patur nevojë që të qëndrojnë në radhë. Këshilli i Ministrave ka shpallur tarifat që duhet të paguajnë qytetarë për shërbimet në internet. Sa i përket shërbimeve për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG), për institucionet e administratës publike do të ofrohet me tarifën zero lekë. Të njëjtat shërbime për subjektet private do të kenë tarifën:
a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 vit; b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve vulë elektronike/për transaksion; c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për sistemin fiskal, me afat vlefshmërie 1 vit; ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG). Pagesa e tarifave do të kryhet nga subjektet private në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin e-Albania.
Të ardhurat do të derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”. Ndërsa vendimi nr.15, datë 12.1.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit”, shfuqizohet. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.