Mbi 30 mijë persona u punësuan përmes Zyrave të Punës në vitin që lamë pas.Drejtore e Shërbimeve të Punësimit dhe Migracionit pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Iliada Kuqi, në një intervistë për ATSH-në bën të ditur se referuar përmbylljes së 2019-s, të punësuar nëpërmjet zyrave të punës janë 30 391 punëkërkues të papunë.
Në lidhje me parashikimin për 2020-tën, sipas Kuqit, fokusi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit është punësimi i kategorive të punëkërkuesve të papunë të paraqitur pranë këtyre zyrave. Për vitin 2020, tha ajo, pritet të mbahen të njëjtat trende pse jo edhe në rritje të tyre.
Realizimi e një rritjeje ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 4.1%, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet, sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të përkthehet në më shumë punësim.
Tregu i punës ka shfaqur një ulje tё mëtejshme tё shkallës së papunësisë nën nivelin prej 11.4% në tremujorin e tretë, niveli më i ulët i regjistruar gjatë dy dekadave e fundit.
Punësimi u rrit me 3.3%, e ushqyer kjo kryesisht nga rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës.
Rritja e punësimit është kyçe për gjenerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve, e për rrjedhojë për të nxitur konsumin, kursimet e investimet, dhe rritjen e mëtejshme të ekonomisë.