Nga ARTUR AJAZI
Duke tundur kartën e ndryshkur të “dekriminalizimit”, dhe duke bërë krahasimin me “fitoren mbi Ramën”, duket se Lulzim Basha me hapin e fundit (më i duhuri në fakt) ka krijuar një reaksion të paimagjinuar tek baza e mbetur e partisë tij. Vetëm në 24 orët e fundit, drejt selisë së asaj partie në SHQUP, kanë mbërritur dhjetra e qindra sms, letra dhe telefonata nga qëndrestarë të saj, nga ata që mbushën sallat, çadrën, apo sheshet e bulevardet, nga ata që u gënjyen dhe mashtruan se “me molotovë dhe kapsolla do të largojmë këtë qeveri”, nga ata që u morën me dredhi, u hipën në autobuzë dhe u braktisën rrugëve të Tiranës. Duke u përpjekur të justifikohet me “reformën zgjedhore” si dhe duke aluduar se “vetëm kjo i jep fund fenomenit Rama”, Lulzimi në fakt ka vendosur të drejtojë pas kësaj një parti pa anëtarësi, edhe pse në selinë e saj do të mbeten deri në 2021, ndoshta vetëm sekretarët e tij besnikë. Por ky ishte një veprim i pashmangshëm i kryetarit Basha, pasi ultimatumi, ishte dhënë dhe përgjigja ishte marrë.
Tanimë edhe ata që deri dje besonin se Partia Demokratike, kishte kryetar, kishte mision, kishte ide, kishte program, kishte “njerës të aftë politikisht” kanë mbetur të rraskapitur jo vetëm nga zhgënjimi. Baza e mbetur e asaj partie, kërkon nga Lulzim Basha ti sqarojë mbi lojrat me “revolucion, protesta të fuqishme, rrëzim të qeverisë deri në pranverë” dhe premtime të tjera të këtij lloji. Përgjatë këtyre 6 viteve,Lulzim Basha edhe pse nuk është ndjerë realisht kryetar partie, ka patur fatin të drejtojë turma të manipuluara, ka patur fatin të drejtojë edhe pse maksimalisht keq një “aleancë” aleatësh edhe pse nuk kanë qenë të tillë, duke e katandisur Partinë Demokratike, më keq se një shoqatë lokale. Historia e këtyre viteve, ka treguar se PD nuk ka qenë kurrë opozitare, por thjesht një grupim njerëzit që për interesa pushteti dhe pasurie, kanë borxh të shesin, edhe pa me “noter” partinë e tyre. Detyrimi nga faktori ndërkombëtar i Lulzimit dhe Doktorit tij, për tu ulur në tavolinën e bisedimeve për Reformën Zgjedhore, ishte një tjetër përulje e madhe e tij ndaj Edi Ramës. Atë që Lulzimi, nuk e bëri me ftesa të sinqerta dhe të shpeshta,e bëri me urdhër, dhe ndoshta me urdhër do t’i duhet të largohet edhe nga posti kryetarit.
Ulja në dialog dhe bisedime me “armiqtë” e tij politikë, mbetet një pikiatë rrezikshme e një kryetari, që deri pak ditë më parë betohej se “Rama i ka ditët e numëruara, PD po vjen në pushtet”. Tanimë, atë nuk e beson më njeri në PD, dhe kjo ka nisur nga dje, ku baza e asaj partie, por dhe analistët e “fitores” kanë mbetur të shokuar. Nga dje, nuk bëhet fjalë më për protesta, nga dje nuk bëhet fjalë më për “marrje pushteti”, nga dje nuk bëhet fjalë më për “dy palë zgjedhje në një ditë”, nga dje nuk bëhet fjalë më për “Rama ik”,pasi Lulzim Basha ka hyrë në rresht, për të mos dalë prej andej edhe për 16 vite të tjera, mjafton të mbetet përjetësisht kryetar pa anëtarë.