Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Vjenë (Austri) zyrat e ekipit që do të mundësojë drejtimin e suksesshëm të OSBE-së, të cilin Shqipëria e merr zyrtarisht nesër. 18 nga punonjësit në këtë zyrë janë shqiptarë ose 60% dhe 12 janë të huaj ose 40% e stafit prej të cilëve 2 italianë, 2 gjermanë, 2 norvegjezë, një austriak, një zviceran, etj.

“Jemi një skuadër mikse këtu. Faleminderit që i jeni bashkuar ekipit! Skuadra duket perfekte dhe shpresojmë të shkojë gjithçka mirë për misionin. Zyrat janë shumë të mira dhe kjo është shumë e rëndësishme për të filluar”, – u shpreh Rama, teksa takoi një për një pjesëtarët e stafit.

“Vizioni ynë për kryesinë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020 udhëhiqet nga tre objektiva të rëndësishme, përqendrimi në baza duke zbatuar së bashku dhe me mirëbesim, tërësinë e angazhimeve tona politike, ndryshime në terren, qoftë këto në parandalimin e përshkallëzimit të një konflikti, monitorimit të zgjedhjeve ose mbështetjen e reformave, apo përmirësimit të sigurisë dhe prosperitetit të qytetarëve tanë dhe duke vazhduar forcimin e dialogut të frymëzuar nga 30-vjetori i Marrëveshjes së Parisit”, – ka deklaruar Rama.

Kryeministri, njëkohësisht dhe Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Kryetar i OSBE-së Edi Rama, do t’i paraqesë Këshillit të Përhershëm të OSBE-së përparësitë e Shqipërisë më 9 janar në Vjenë.