Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj inspektoi zyrat e aplikimit për dokumente biometrike në Njësinë Bashkiake 1 dhe 2 në Tiranë, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.
Ministri e konsideroi ofrimin e shërbimeve online, një revolucion të vërtetë në aspektin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Ministria e Brendshme ofron nga fillimi i janarit 48 shërbime online, që do të pasohen nga një grup tjetër shërbimesh nga muaji Qershor 2020.
Ministri Lleshaj iu referua uljes së ndjeshme të printimit të certifikatave nga zyrat e Gjendjes Civile, një shërbim i ofruar prej 2 vitesh online, për të theksuar efektivitetin e kësaj reforme.
“Jemi këtu për të parë se si po shkon procesi i aplikimit për kartat e identitetit dhe pasaportat, në ndjekje të gjithë punës që po bëhet për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Viti 2020 ka filluar me një prioritet të madh të Qeverisë, që ka të bëjë me rritjen e shërbimeve online për qytetarët, në thelb bëhet fjalë për një revolucion të vërtetë në fushën e administrimit dhe të shërbimit ndaj qytetarëve.
Në fillim të këtij viti, ne kemi nisur me 472 shërbime, të cilat ofrohen online nga gjithë administrata e shtetit, ndërkohë që në gjysmën e dytë të vitit ne do të shtojmë edhe 395 shërbime të tjera, që do të thotë rreth 91% e shërbimeve që ofron administrata e shtetit shqiptar do të kryhen online.
Por nuk është vetëm kjo risia. Risia më e madhe dhe revolucioni i vërtetë ka të bëjë me faktin që shteti shqiptar merr përsipër provën e dokumentimit për të gjitha aplikimet e qytetarëve. Pra, të gjitha dokumentet që shteti i ka në zyrat e tij, nuk do t’ia kërkojë më qytetarëve. Qytetarët do të jenë të detyruar vetëm të shkojnë të aplikojnë, pra të plotësojnë formularët përkatës dhe të paraqesin vetëm dokumente që shteti nuk i ka, pjesën tjetër do e bëjë shteti dhe ky është një revolucion i vërtetë i cili bëhet për herë të parë.
Është një reformë e jashtëzakonshme dhe shpresojmë që përmes saj do lehtësohet në mënyrë të ndjeshme barra e qytetarëve, do të ulet koha e pritjes dhe për më tepër ofrimi online do të bëjë që zyrat, të jenë në shtëpinë e çdo qytetari tashmë. Vetëm për të dhënë një detaj lidhur me certifikatat e qytetarëve, që nga momenti kur është futur shërbimi online, kemi arritur të reduktojmë në mënyrë të ndjeshme sasinë e certifikatave që printohen, ose që lëshohen në letër nga Gjendja Civile. Vetëm me këtë ndërhyrje kemi mundësuar që rreth 2 milionë certifikata të mos printohen më dhe të mos lëshohen direkt nga Gjendja Civile, por të merren nga qytetarët përmes shërbimit online. Ne synojmë që të ulim akoma më shumë sasinë e certifikatave që lëshohen në letër, në mënyrë që dalëngadalë të arrijmë tek një shërbim i plotë online, por kjo do të marrë kohën e saj. Por megjithatë 2 milionë në vit janë minus dhe kjo është një arritje e konsiderueshme.”, tha Lleshaj.