Albin Kurti ka refuzuar që t’i shkojë në zyrë presidentit të vendit, Hashim Thaçit për ta marrë dekretin për formimin e qeverisë, pas letrës së LVV-së në të cilën ajo peopozonte Albin Kurtin për tu mandatuar. Dekreti i presidentit po sot i është përcjellë kreut të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili duhet të thërrasë pas 15 ditësh mbledhjen e Kuvendit. Vendim për nominimin e Kurtit vjen pas disa kërkesave të Presidentit i cili shtoi presionin tek lideri i Vetëvendosjes që si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, të formojë sa më shpejt kabinetin qeveritar. Pas propozimit, Hashim Thaçi ftoi liderin e VV në Presidencë në orën 12:00, takim që sipas mediave në Kosovë nuk do të zhvillohet.
Më herët Albin Kurti ka sqaruar nëpërmjet një video mesazhi se Lëvizja ‘Vetëvendosje’ dorëzoi letrën për t’u mandatuar për formimin e qeverisë së re pa arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kreu i VV-së gjithashtu i bëri thirrje Liderit të LDK-së Isa Mustafa që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për arritjen e marrëveshjes së koalicionit.