Propozimet e bëra për ashpërsimin e ndëshkimeve ndaj shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor janë pritur pozitivisht nga opinioni publik. Në një sondazh online të krijuar nga faqja në Facebook e Policisë Rrugore, pyetjes: “A jeni dakord për ashpërsimin e masës administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit?” i janë përgjigjur rreth 78 % “Po” dhe vetëm 22 % “Jo”. Numri i pjesëmarrësve në sondazh, pa u mbushur ende 24 orë, është rreth 10 mijë vetë çka përbën një kampion të konsiderueshëm për të nxjerrë përfundime të besueshme. Prirja aprovuese për ashpërsimin e masave ndaj shkelësve të trafikut vërehet në një shkallë të konsiderueshme edhe në komentet e qytetarëve që kanë vizituar faqen. Aty ka komente të shumëllojshme që përkrahin nismën për ashpërsimin e ndëshkimeve ndaj shoferëve që përdorin celularin, duke theksuar se kjo sjellje shkakton aksidente.
Nga komentet më të spikatura kemi përzgjedhur pak syresh, pa i përmendur emrat, thjesht për efekt ilustrimi. – “Pa tjetër, direkt burim aksidenti, është më keq se alkooli!” – “Me në fund! Bëhet trafiku palë-palë, se e kanë mendjen te telefoni e nuk shohin që kane ikur 50 m më tutje makinat e tjera. Vec boria i shkëput nga telefoni!” – “Unë jam për ashpërsimin e masave ndaj shoferëve, që pijnë alkol; ndaj shoferëve që ecin me shpejtësi në qytete, ose qendra të banuara, ndaj shoferëve që nuk respektojnë kalimtarët në vijat e bardha, po ashtu edhe për ata që janë në Telefon. Jam për ashpërsimin e masave të këtyre kategori shkeljesh, mbasi mendoj që më shumë aksidente ndodhin për keto arsye që përmenda”. Në propozimet e bëra për ndryshime në Kodin Rrugor, ndëshkimi për përdorimin e celularit gjatë kohës që drejton mjetin, është rritur me 5-10 fish, sipas rasteve, ndërsa për përsëritësit, parashikohet heqja e patentës për një periudhë 3-mujore si dhe zbritje të 10 pikëve.
Aktualisht në Kodin Rrugor parashikohet vetëm gjobë që shkon në 500-1000 lekë dhe asgjë tjetër, ndërsa propozimet mund të shkojnë deri 5000-10.000 lekë, ose afërsisht 100 dollarë. Në rrugët e vendit, gjatë vitit 2019 ka pasur 1 498 aksidente, të cilat kanë shkaktuar 227 të vrarë, 260 të plagosur rëndë dhe mbi 1500 të plagosur lehtë. Ministri i Brendshëm Lleshaj u shpreh në një aktivitet para disa ditësh se në rrugët e vendit vdesin në aksidente 5 herë më shumë njerëz sesa në ngjarje kriminale. Pikërisht për të ndryshuar këtë situatë e cila është tërësisht në dorën e autoriteteve duke bërë ndërhyrje ligjore dhe të vetë qytetarëve, duke i respektuar këto rregulla, do të përmirësohet kjo situatë që prodhon pothuajse përditë nga një viktimë në rrugë. Krahas ashpërsimit të masave, Policia Rrugore do të shtojë kontrollet inteligjente përmes përdorimit të radarëve të shpejtësisë, droneve, kamerave, targave inteligjente etj.. Sipas burimeve nga Policia Rrugore, synimi është që numri i ngjarjeve fatale në 2020 të zbresë në nivelet më të ulëta historike. Pyetja e radhës sot është: A mendoni se duhet rritur masa ndëshkuese për këmbësorët që nuk respektojnë vijat e bardha, semaforët, mbikalimet?