Ambasadorja e re SHBA në vendin tonë, Yuri Kim po zhvillon një takim me kreun e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) Arben Kraja. Kjo vizitë vjen paralel me afatin e fundit për aplikimit për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Report Tv mëson se ditën e premte ambasadorja Amerikane do të ketë takime me të gjithë aktorët dhe ekspertët e Reformës në Drejtësi përfshirë edhe institucionet e reja të drejtësisë. Kjo vjen në kuadër të bërjes së bilancave dhe rezultateve për problematikat e hasura. Një ditë më parë Kim u takua me kryeprokurorin Olsian Çela. Diplomatja amerikane i garantoi Prokurorit të Përgjithshëm ndihmën e SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë disa herë thirrje për të aplikuar për pozicionin e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ambasada ka dhënë edhe detajet lidhur me kriteret për aplikimin në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku shpjegohet se personi që do drejtojë organin më të ri të drejtësisë duhet ketë integritet, përvojë profesionale dhe aftësi udhëheqëse. Ndërkohë të gjithë ata që do të përzgjidhen si pjesë e BKH do të trajnohen në SHBA.