Projekti i DW #Generation99 ka mbledhur në vitin 2019 për herë të parë studentë nga Kosova dhe Serbia. Në grupin e studentëve serbë, të cilët në dhjetor vizituan Kosovën, ishte edhe Aleksandar Bugarin nga Novi Sadi.
Pas një kohe të gjatë shoh kodra dhe male, një peizash krejt tjetër nga ai i Vojvodinës, ku qielli në horizont bashkohet me tokën. Në malet e dendura sheh ndonjë kishë të vogël dhe shtëpia të shpërndara nëpër male, që është tipike për këto rajone. Kështu do të përshkruaja hapësirën para se të futesh në Kosovë, në krahinën e konstesutar jugore të Serbisë.
Në Kosovë kam shkuar pa ndonjë shpresë apo pritje të madhe, por duke mohuar stereotipet që dëgjojmë për “Šiptari”, apo shqiptarët e Kosovës. Në jetë u besoj më së shumti vetëm syve të mi dhe kurrë nuk kam dashur të paragjykoj për ndonjjë popull të cilin nuk e njoh.
Prishtina ishte për mua një befasi e këndshme. Kryeqyteti i Kosovës ka shpirtin e një qyteti evropian – kjo është defnitivisht e vërtetë. Ndërtimet moderne të kombinuara me ato që kanë mbetur nga koha e shtetit të përbashët i japin qytetit një individualitet, një veçori do të thosha. Qyteti shkëlqen dhe tërësisht është i stolisur në frymën e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Ndërsa në sheshin kryesor janë vendosur shtëpiza të vogla ku tradicionalisht pihet verë e vluar dhe hahen salçiqe shtëpie.
Prishtina qytet që nuk fle kurrë
Fakt është që ky qytet nuk fle kurrë, klubet mbledhin njerëz të rinj, ku pas disa pijeve harrohen problemet e përdishmërisë, harrohen urrejtja dhe lufta – njerëzit dëfrehen. Muzika popullore e Kosovës të zgjon të ashtuquajturën “sevdaja”. Këta tinguj ta kujtojnë muzikën popullore nga Sarajeva.
Në kuadër të qëndrimit në Kosovë vizitojmë edhe Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut. Gjatë gjithë rrëfimit – me nënkryetarin e bashkisë së Mitrovicës së Jugut, shefin e policisë në veri e deri tek vizita në veri – lajmotivi kryesor ishte Ura mbi lumin Ibër, e cila paraqet ndërlidhjen e vetme mes dy popujve, të cilët edhe më tej kujtojnë të kaluarën e cila i kthen mbrapa. Kjo e kaluar vendosë veto në bashkëpunimin mes tyre.
Ura ndarëse
Një urë ndanë dy botë të ndryshme: Mitrovicën e Jugut, e cila i ngjanë Prishtinës, një qyteti evropian në qendër të së cilës shihen edhe rrjetet e ushqimeve të shpejta amerikane, dyqane dhe gjëra të tjera. Si dhe Mitrovicën e Veriut, e cila ushqehet me kulturën e popullit serb dhe e cila më shumë të kujton Nishin, Beogradin apo Kragujevcin.
Që nga dita e parë kam dëgjuar të flitet për këtë urë. Kam dëgjuar rrëfime, se është shumë e tmerrshme kur shkelë këtë urë, rrëfime se kur e shkelë ate të ngrihet gjaku në damarë. Por unë nuk kam pasur këtë ndjenjë. Urën e kam kaluar pa asnjë pezmatim, pa frikë. Nuk dua të zmadhoj veten, por them se njerëzit e teprojnë me rrëfimet për këtë urë.
Rreth meje këtë urë kalojnë edhe shumë njerëz të tjerë. Nuk shihet të kenë ndonjë problem apo hezitim për të kaluar në anën tjetër. Kjo urë paraqet lidhjen e vetme mes këtyre dy popujve, është mënyra e vetme për bashkëpunim mes tyre, rruga e vetme në përpjekjet për të tejkaluar gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën. Grupi im (Deutsche Welle ka ndarë grupet e përziera të studentëve dhe u ka dhënë detyra të ndryshme gazetareske. Vëretje e Redaksisë!) kishte për detyrë të fliste me njerëz, të bëjë anketa. Ishte befasi por jo edhe e papritur: Ata nuk janë tepër të lumtur kur duhet të kalojnë këtë urë dhe të shkojnë në anën tjetër. Rrëfimi sillet në një rreth pa fund – për urën. Mendoj: çfarë do të ndodhte sikur kjo urë të mos ekzistonte fare? A do të ishin më të lumtur për faktin se fqinjët nuk i ndanë një urë?
Manipulimet e mediave
Kjo pyetje më mundon prej ditës së parë të kthimit në Serbi. Fakt është që jeta e përditshme atje dhe këtu tek ne është e njëjtë. Njerëzit nuk ankohen tepër, por jetojnë jetën e tyre. Dhe nuk e kanë të lehtë, sikur që nuk e ka të lehtë askush në këto rajone.
Vetëm kur shkoni diku e kuptoni se sa mediat manipulojnë dhe godasin emocioniet e popullit, i cili pohon se Kosovën nuk e jep për asgjë. Kosova në sytë e popullit tonë nuk duhet të lidhet vetëm me Mitrovicën e Veriut, por me popullin serb që jeton atje. Duhet të mendohet për mënyrën se si të ndihmohet ky popull.
Shqiptarët nuk i kemi armiq
Shqiptarët nuk duhet të shihen si armiqtë tanë, por duhet të shihen si diçka që na lidh me Evropën. Fakt është që shqiptarët janë ndër fqinjët tanë të parë. Në vend të luftës verbale që bëjnë udhëheqësit tanë dhe të tyre, më mirë do të ishte të gjejnë ndonjë gjuhë të përbashkët, ndonjë kompromis, të gjejnë ndonjë zgjidhje ku asnjëra palë të mos jetë humbëse.
Ka ardhur koha që Beogradi dhe Prishtina të merren vesh. Një pjesë e njerëzve më të moshuar, pjesa më konservatore e të dy popujve, ende jeton në frymën e të kaluarës dhe nuk mund të pajtohet me ate që ka ndodhur. Ata përpiqen që këtë ndjenjë ta kalojnë edhe tek të rinjtë. Por jo – ky nuk është problemi ynë. Ne një ditë duhet të mësojmë fëmijët tanë që të mos urrejnë, që të mos ndajnë njerëzit në serbë dhe shqiptarë, por në njerëz dhe jo njerëz.
Nuk është me rëndësi a je serb apo shqiptar, me rëndësi është të jesh njeri. Nëna tërë jetën më ka mësuar se nuk ekziston një popull i mirë apo popull i keq. Më thoshte se ekzistojnë vetëm njerëz të mirë dhe të keqinj. Pas kësaj vizite e kam kuptuar domethënien e kësaj fjalie!
Aleksandar Bugarin është student i gazetarisë në Universitetin e Novi Sadit dhe pjesëmarrës i Projektit të DW #Generation99, në kuadër të së cilit gjatë vitit të kaluar dy herë janë takuar studentë nga Kosova dhe Serbia. Bugarin ishte pjesë e grupit të studentëve serbë, të cilët në dhjetor vizituan Kosovën për herë të parë në jetën e tyre. /DW/