Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka mbledhur sot Task-Forcën e institucioneve të shëndetësisë dhe ekspertëve për të koordinuar masat për koronaviurusin e ri, i cili është identifikuar në Wuhan, Kinë. “Kam kërkuar disa ditë më parë me një urdhër të posaçëm të merren masat paraprake për rritjen e survejancës dhe të identifikohet niveli i rrezikut për vendin tonë, sipas përhapjes së virusit të ri. Nga raportimi i fundit që kam nga strukturat tona të shëndetit publik: Shqipëria mbetet vend me rrezik të ulët përsa i takon depërtimit të koronavirusit të ri”, tha Manastirliu. Megjithatë Manastirliu theksoi se Shqipëria po merr masat paraprake, për mbrojtjen ndaj këtij virusi.

“Edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka shpallur emergjencë ndërkombëtare por vetëm emergjencë në Kinë për momentin, ne po përgatitemi me masa të shtuara në strukturat tona dhe dua të theksoj se kemi gati planet e emergjencës për reagimin ndaj infeksioneve virale, sipas shkallës së rrezikshmërisë”, tha Ministrja. Aktualisht Instituti i Shëndetit Publik dhe strukturat e tjera të shëndetësisë kanë përforcuar survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Është përgatitur përkufizimi i rastit, udhëzimet për survejancën, hetimin epidemiologjik dhe menaxhimin e rasteve në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit. “Situata po menaxhohet bazuar në rregulloren ndërkombëtare të shëndetit dhe çdo veprim është në koordinim me OBSH, pra janë masa të përbashkëta”, tha Manastirliu.

Edhe pse Shqipëria nuk ka lidhje direkte ajrore me Kinën, bazuar në rekomandimet e OBSh-së, janë marrë masat përkatëse në aeroport. “Kemi rritur survejancën në aeoport dhe pikat kufitare me njësinë tonë të përhershme të shëndetësisë. Janë shtuar masat higjieno-sanitare, është trajnuar stafi i Njësisë së Shëndetësisë në pikat kufitare dhe janë riaktivizuar protokollet përkatëse për situata të tilla”, tha Manastirliu. Aktualisht Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda si dhe atyre akute në të gjithë vendin dhe sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri. ISHP ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike. Spitali infektiv ka kapacitetet e nevojshme me boxe izolimi për çdo situatë. Duke theksuar se Shqipëria mbetet vend me rrezikshmëri të ulët, ndërsa vendet e Evropës janë me rrezikshmëri të moderuar, Manastirliu deklaroi se janë gati planet e reagimit në varësi të shkallës së rrezikshmërisë në spitale dhe ekipe mjekësore të përgatitura. Task-forca e mbledhur me drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik, drejtues të njësive tona në pikat e kalimit kufitar, përfaqësues të policisë kufitare, zhvilloi sot takimin e parë për të koordinuar masat parapërgatitore, që tashmë janë ndërmarrë dhe që do të vijojnë në varësi të situatës dhe zhvillimeve sa i takon koronavirusit të ri të identifikuar në qytetin Wuhan, provinca Hubei, Kinë, bazuar në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit dhe udhëzimeve të OBSh-së.