Temperaturat e ulëta disa gradë nën zero kanë “pushtuar” vendin gjatë javës së fundit por Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se në të gjitha akset rrugore kombëtare qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.

ARRSH bën të ditur se po vijon shpërndarja e kripës në aksin Qafë Mali-Fierzë për të mbajtur të hapur rrugën për shkak të prezencave të akullit si pasojë e temperaturave të ulëta.

“Çdo ditë në punë për marrjen e masave dimërore që akset të jenë në kushte normale për qarkullimin, pavarësisht temperaturave të ulëta”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Me qëllim përballimin e situatës dimërore, që përfshin periudhën 15 nëntor-31 mars, është ngritur shtabi i emergjencës dimërore, për përgatitjen dhe marrjen e masave për sigurimin e mjeteve materialeve dhe stafit.

Sipas ARRSH-së grupi i punës është në terren për përballimin e situatës emergjente dimërore 24 orë në 24, në të gjitha segmentet, duke bërë të mundur që qarkullimi të vazhdojë normalisht në të gjitha akset kryesore të vendit, pavarësisht reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta.