Dy kontenierë për banim vijnë nga Bari në ndihmë të banorëve të Shijakut të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Në Autoritetin Portual të Barit, u bë ceremonia e dorëzimit të 2 kontenierëve për banim, që “Divella” Spa dhe Trupi Konsullor në Puglia, Basilicata dhe Molise, i dhuruan bashkisë Shijak, për shtetasit shqiptarë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Këto kontenierë janë 50 metra katror, dhe përmbajnë një kuzhinë, një dhomë ndenjeje dhe dhoma gjumi si dhe mundësojnë strehimin e dhjetë qytetarëve. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, Francesco Divella, Menaxher marketingu i F. Divella Spa, Ugo Patroni Griffi, President i Autoritetit të Sistemit Portual, Adrian Haskaj, Konsulli i Përgjithshëm në Bari, Konsujt e Nderit, etj. Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, Adrian Haskaj mori në dorëzim çelësat e kontenierëve të banimit, që do të mbërrijnë në portin e Durrësit.