Një sasi e konsiderueshme ndihmash për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit ka mbërritur mbrëmjen e djeshme nga shqiptarët e Selanikut në Durrës.Ndihmat u nisën nga parku me emrin “Durrësi” në Selanik dhe mbërritën në sheshin “Selanik” të qytetit bregdetar në Shqipëri.Komuniteti Shqiptar i Selanikut sollën krevatë, dyshekë, batanije, veshmbathje dhe ushqime.”Në Selanik jetojnë mijëra shqiptarë dhe sapo dëgjuan për tërmetin e tmerrshëm që kishte ndodhur në Shqipëri iu përgjigjën menjëherë thirrjes për ndihmë.
Ndihma janë dhënë dhe nga qytetarët, tifozët grekë të “Aris” e “Paokut”, bashki dhe institucione greke, kisha ortodokse dhe katolike. Reagim solidar i të gjithë shoqërisë së Selanikut. Kjo tregon se kur popujt kanë dëshirë të mirë e duan të bashkëjetojnë e ardhmja e tyre është pozitive dhe harmonike”, tha Luan Zyka, kreu i shoqatës Komuniteti Shqiptar i Selanikut.Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri i falenderoi shqiptarët për solidaritetin.
“Gjej rastin të falenderoj shqiptarët e Selanikut dhe të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë nëpër botë sepse na janë gjendur pranë dhe na kanë ndihmuar në këto ditë të vështira”, tha Tahiri.Në këto ditë të ftohta dimri, destinacioni i këtyre ndihmave do të jenë familjet që jetojnë në çadra në zonat rurale të bashkisë Durrës.