Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado deklaroi sot se 5 677 punonjës që kanë punuar në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës dhe gazit dhe në metalurgji kanë përfituar nga ligji për trajtim financiar dhe suplementar.

“Objektivi ynë është përfundimi sa më i shpejtë i këtij procesi, sepse motoja jonë është shërbim me cilësi dhe brenda afateve për të gjithë qytetarët”, – shprehet Hado.

ISSH shpalli sot listën me 924 përfitues, subjekt i ligjit 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, për periudhën 27 dhjetor 2019 – 08 janar 2020, duke e çuar në total 5 677 numrin e përfituesve nga ky ligj.

Pensionin për shkak të profesionit (llojit të punës) e përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve të Këshillit të Ministrave “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.

Deri tani janë depozituar mbi 17 mijë kërkesa për përfitim nga ky ligj, të cilat do të marrin përgjigje brenda një kohe të shkurtër. Por, ISSH apelon qytetarët të vijojnë të dorëzojnë aplikimet pranë degëve rajonale të sigurimeve shoqërore.