Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu solli sot në vëmendje transformimin që ka ndodhur me ndërtimin e spitalit të ri kirurgjikal “Frederik Shiroka” në QSUT, një investim me vlerë 8.8 milionë euro. “Puna ka nisur mbarë në spitalin e ri kirurgjikal “Frederik Shiroka”. Qytetarët, mjekët dhe infermierët kanë tashmë kushtet që meritojnë, një spital që nuk ka asgjë mangët nga spitalet europiane të kirurgjisë”, shprehet ministrja.
Ajo theksoi se 7 salla moderne operacioni për kirurgjinë e përgjithshme, kirurgjinë speciale dhe urologjinë. “Aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë. Njësi terapie intensive me kushte dhe pajisje bashkëkohore. 120 shtretër dhe dhoma me standardet më të mira. Shihni ndryshimin”, tha Manastirliu.
“Këtu është një ambient që edhe në shtëpi më mungon”, tha një pacient. “Kushtet janë të shkëlqyeshme, dhomat janë të shkëlqyeshme, me televizor me rafte me gjithçka”, tha një tjetër. Një tjetër pacient i shtruar u shpreh se “u bëra 60 vjeç dhe këtë ambient se kam parë ndonjëherë”. Me laparoskopi moderne në secilën prej sallave të kirurgjisë së përgjithshme, kirurgjisë speciale dhe urologjisë, një mjek i këtij spitali u shpreh se “ky është një investim kolosal që ka bërë shteti dhe Ministria e Shëndetësisë.
“Mjekët janë të kënaqur, pacientët po ashtu. Sallat e operacionit, pajisjet janë të gjitha të reja. Të gjitha këto kushte të reja padiskutim që do të ndikojnë në cilësinë e shërbimit ndaj të sëmurëve”, tha mjeku. Investimi për ndërtimin e spitalit të ri kirurgjikal kap vlerën 8.8 milionë euro.