Në kujtimet e fëmijërisë secili prej nesh ndan imazhet e gjysheve të ulura në një cep duke punuar me shtiza. Duart e tyre edhe pse të rrudhura nga vitet e jetës sërish nuk ndienin lodhje, madje kalonin gjithë natën duke thurur triko e çorape shumëngjyrëshe. Për festat e fundvitit për nipërit e mbesat një triko me një bredh të qëndisur ishte dhurata perfekte.
Kjo traditë ka arritur të mbijetojë edhe me kalimin e viteve sërish nënat vijojnë punimet me dorë. Por tashmë disa prej tyre thurin triko e çorape për të siguruar të ardhura. Gratë fierake çdo ditë mbushin trotuaret e qytetit me punime me shtiza të ndërthurura me shumë mjeshtëri, pasion dhe përkushtim. Edhe pse moti është i ftohtë sërish duart e tyre nuk ndalojnë së punuari me shtiza.
Një nga të moshuarat thotë se ka shumë kërkesa për shitje të punimeve me dorë dhe që të ardhurat që fitojnë i nevojiten për të përballuar jetesën pasi nuk i mjaftojnë vetëm paratë që marrin nga pensioni.
“Ne dalim çdo ditë dhe shesim punët e dorës çorape, fanella dalim kompensojmë pensionin sepse pensioni aq është. Kemi edhe shumë kërkesa, i marrim dhe i bëjmë dhe vinë i marrin klientët. Këtu jemi vendosur 8 gra dhe dalim ditë për ditë”, tha një nga të moshuarat.
Punimet artizane vlerësohen shumë nga turistët e huaj, por edhe vendas. Gjatë stinës së dimrit ka edhe më shumë fluks shitjesh pasi këto punime janë edhe të ngrohta. Por problemi i këtyre nënave është që nuk kanë një vend në Fier për të shitur produktet e tyre, të cilat janë një traditë kulturore më vete. Ato detyrohen t’i shesin në rrugë ku i ftohti dhe pluhuri i makinave është prezent.