Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të shpalosë sot planin e tij për paqe në Lindjen e Mesme, edhe pse udhëheqësit palestinezë e kanë refuzuar atë. Trump tha të hënën, gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington, se plani i tij “ka shumë kuptim për secilin”. “Palestinezët me siguri se nuk do ta duan fillimisht. Por, në fund do ta duan. Është shumë i mirë për ta”, tha Trump.
Kryeministri palestinez, Muhammad Shtayyeh, e cilësoi planin si “komplot për të likuiduar çështjen palestineze”. Udhëheqësit palestinezë thonë se ata nuk janë ftuar në Uashington për prezantimin e “projektit të fshehtë të paqes” të presidentit Trump. Ata druajnë se me këtë plan, SHBA-ja do ta njohë Bregun Perëndimor, të cilin ata e duan për shtetin e tyre të ardhshëm, si pjesë të Izraelit. Bregu Perëndimor është pushtuar nga Izraeli në luftën arabo-izraelite në vitin 1967.