Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi e ka cilësuar si një ditë reflektimi 21 janarin ku sot shënohet 100-vjetori i Kongresit të Lushnjës, që është edhe 100-vjetori i parlamentarizmit në Shqipëri. Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Hysi tha se, “kjo është një datë kur shqiptarët të gjithë duhet të ndjehemi krenarë për të gjithë ato vendime që ka marrë Kongresi i Lushnjës për fuqizimin e shtetit, Pavarësisë dhe mbrojtjen e territoreve”.

Nga ana tjetër, sipas Hysit, është një ditë reflektimi. “Unë jam vetë pjesë e politikës dhe besoj që të gjithë ne që jemi pjesë e politikës, jemi besuar për të qenë pjesë e parlamentit. Është një ditë për të reflektuar për atë çfarë është bërë mirë, por edhe për të nxjerrë mësim, për ato që nuk kanë funksionuar ashtu siç duhet”, tha Hysi. Hysi tha se shumë aktivitete në Lushnjë dhe Tiranë janë bërë falë bashkëpunimit me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Arkivën Qendrore Shtetërore, gjithashtu me pedagogë e me Akademinë e Shkencave.

Hysi tha se “në Konferencën Shkencore kushtuar 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar ka shumë profesorë, e pedagogë, historianë dhe akademikë, të cilët na kanë nderuar. Njëkohësisht kemi dhe miq historianë dhe albanologë që kanë ardhur nga jashtë vendit”.