Piktura u konfirmua si autentike nga Muzeu Van Gogh në Amsterdam. Ekspertët përcaktuan se ajo ishte pikturuar ndërsa Van Gogh ishte në një azil në Saint-Remy të Francës në fund të verës së vitit 1889. Dyshimet mbi origjinalitetin e pikturës filluan që në vitin 1970. Galeria Kombëtare në Oslo të Norvegjisë, e cila zotëron veprën, ia dërgoi ekspertëve holandezë, të cilët përdorën analiza me rreze X të pikturës, studime të furçave si edhe referencat në letra drejtuar vëllait të Van Gogh, Theos.

Van Gogh në letrën drejtuar vëllait të tij në shtator të vitit 1889 shkruante se pikturën e realizoi ndërsa ishte sëmurë. Artisti shkroi se ishte goditur nga një “episod i rëndë psikotik” që i nisi në korrik dhe i zgjati 6 javë. Megjithëse ndihej i aftë të pikturonte, tha se kishte ende shqetësime. Muzeu në Oslo e bleu pikturën në vitin 1910 nga një koleksionist në Paris, duke e bërë atë autoportretin e parë të Van Gogh që hyn në një koleksion publik.