Në këtë 100-vjetor të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në takim Zëvendës-Presidentin e Kongresit Amerikan Hebre, Munr Kazmir, më të cilin diskutoi për marrëdhëniet shumë të mira mes dy popujve dhe harmoninë fetare që ekziston në vendin tonë.
Kryebashkiaku tha se fryma e treguar në ato vite të vështira, duhet ruajtur e gjallë dhe kultivuar në gjeneratat që vijnë. “Për ne është krenari që, Shqipëria jonë e vogël është i vetmi vend ku në fillim të Luftës së Dytë Botërore kishte vetëm 200 hebrenj që jetonin në Tiranë, kurse në fund të saj 2 mijë. Fakti që hyn te ato pak vende ku popullsia hebraike u dhjetëfishua në fund të luftës, kurse në vende të tjera patën tjetër fat, na bën të ndihemi sadopak krenarë. Mezi pres që me të gjithë komunitetin hebraik në Tiranë, por edhe me miqtë që kemi në Amerikë apo me miqtë e besimeve të tjera që e kultivojnë përditë këtë frymë të bashkëpunimit, ta kthejmë 100-vjetorin e Tiranës në një histori suksesi”, theksoi Veliaj.
Ai u shpreh se në këtë vit jubilar, Tirana do të kremtojë, bashkë me komunitetin hebraik, edhe dy data të shënuara. “Për komunitetin hebraik do të kemi dy data të shënuara, një për të nderuar të gjithë qytetarët e Tiranës që mikpritën dhe mbajtën në shtëpinë e tyre shtetas apo familje hebreje, me një monument dhe një nderim në Parkun e Liqenit të Tiranës. Gjithashtu, edhe në fshatin e Shëngjergjit, që ka qenë gjithashtu një nga zonat më bujare dhe më mikpritëse të komunitetit hebraik gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Mezi pres që në këto dy data të shënuara, por edhe në data të shënuara për komunitete të tjera, të kujtojmë 100-vjetorin e Tiranës, patjetër me shumë sfida e vështirësi, por sigurisht me shumë solidaritet, mikpritje, bujari, sidomos në momentet më të vështira”, deklaroi Veliaj.
Zëvendës-Presidenti i Kongresit Amerikan Hebre, Munr Kazmir vlerësoi punën e kryebashkiakut dhe përpjekjet për të sistemuar të prekurit nga tërmeti në banesa të reja. “E falenderoj kryetarin për punën e tij, duke i lokalizuar këta njerëz dhe duke i siguruar shtëpi. Mendoj se keni një udhëheqës të ri, që po bën një punë të mirë në qytet dhe unë e dua Tiranën. Më e rëndësishmja, kryetari juaj është i mrekullueshëm dhe mendoj se qytetit të Tiranës i duhet dikush si ju”, tha Kazmir. Në mënyrë simbolike për 100-vjetorin e Tiranës si kryeqytet, kryebashkiaku Veliaj i dhuroi Munr Kazmir një targë automjeti shqiptar me numrin 100.