“Nuk jam këtu të krijoj probleme, por që të zgjidh probleme”, – deklaroi sot nga Vjena Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. I pyetur mbi krizën në Ukrainë, Kryeministri Rama deklaroi se si kryesues i OSBE-së, do të punojë që kjo krizë mes dy vendeve të mos thellohet. “Dua të theksoj atë që thashë në hyrje të kësaj konference shtypi, që si kryesues i OSBE-së unë nuk dua të shpreh qëndrime, pikëpamje e mendime të cilat mund të jenë të natyrshme kur flas si kryeministër i Shqipërisë dhe në emër të qeverisë shqiptare, por në këtë pozitë që jam, si kryesues i OSBE-së, kjo nuk është e mundur”, – tha Rama.

Ai shtoi se “si kryetar i OSBE-së, bashkë me Sekretarin dhe gjithë të tjerët, detyra ime është të nxis sa më shumë të jem e mundur që të kemi dialog dhe mënyrën si do ecim para që të garantojmë paqe”.

“Është e qartë që kriza në Ukrainë dhe rreth saj është një sfidë mjaft e madhe sigurie në Europë. Prioriteti ynë bazë është të mbështesim punën e Misionit, të punojmë me Përfaqësuesin Special që sapo u caktua, dhe në të njëjtën kohë të jemi sa më të dobishëm që të jetë e mundur që të dyja palët të afrohen drejt një konkluzioni pozitiv. Të gjithë e dimë që kështu duhet të jetë. Nuk është pa arsye që kam vendosur të bëjë vizitën time të parë në Ukrainë. Jam fuqimisht i angazhuar për të bërë më të mirën time që kjo krizë që ka vazhduar për më shumë se 6 vjet mos të përshkallëzohet më tutje dhe nga tjetër të vazhdojë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Minskut, atë kemi si bazë dhe është njohur gjithashtu si e tillë nga të dyja palët”, – tha Rama.

I pyetur se përse nuk përmendi Krimenë, Rama tha se “e kam thënë dhe e përsëris edhe një herë, që ne duhet të shikojmë të gjitha mënyrat e mundshme që të sjellim të gjitha palët afër njëra-tjetrës”.

“Si qeveri dhe si Shqipëri ne kemi qenë të hapur për çështjen e pyetjes, por si kryesues i OSBE-së nuk dua të jem kaq i hapur, sepse nuk do të kisha rezultatet e duhura, se si kjo organizatë me 57 anëtarë, me ide të ndryshme të arrijë një konkluzion më të shpejtë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Nuk jam këtu të krijoj probleme, por që të zgjidh probleme”, – tha Rama.

Duke folur për prioritetet, Rama tha se “sfida jonë është të fokusohemi tek parimet elementare, bazike”.

“Nuk kemi marrë drejtimin e OSBE-së për të rishpikur botën, as për të rishpikur OSBE-në, por duke studiuar dhe duke analizuar me shumë përkushtim të shkuarën në funksion të marrjes së drejtimit të OSBE-së kemi konkluduar që mbase jemi të vlefshëm si një vlerë e shtuar, duke iu referuar parimeve elementare që janë në themelet e OSBE-së. Kjo do të thotë që jo thjesht të mjaftohemi me këto parime si fjalë kyçe që i përdorin të gjitha vendet anëtare, as si pika të përbashkëta referimi parimore, por si objektiva që çdo anëtar duhet nxitur t’i implementojë në jetën e përditshme”, – tha Rama.

Nga ana tjetër, ai tha se “është sfida jonë në këtë rast, jo e OSBE-së, por e jona, që t’i japim drejtimit tonë një profil sa më respektues për të gjithë”.

“Sapo dola nga një seancë me ndjenjë inkurajimi nga fjalët që u thanë. Sepse është legjitime të them që disa anëtarë dhe mund të kenë qenë pak skeptikë, kanë shprehur skepticizëm për faktin se sa të gatshëm jemi ne për të përballuar këto detyra me përgjegjësi”, tha Rama.

Ai shtoi se “kjo është një ditë historike për Shqipërinë, pasi është dita e parë në historinë e saj që ka një rol në skenën ndërkombëtare”. “Për çdo shqiptar që e di rrugën e gjatë që na duhej të arrinim deri këtu kjo është një arsye që ne të jemi krenar. Sot përcaktuam prioritetet tona për vitin në vazhdim. Theksuam vendosmërinë për t’u përqendruar në parimet themelore. Ne nuk do të shikojmë që të rishpikim botën, apo ndonjë gjë të re në lidhje me këtë organizatë, por të sigurohemi që gjatë këtij viti parimet themelore, baza do të ngelen ashtu siç janë dhe nuk do të prishen nga disa erëra që janë mjaft rrezikuese në botën ku jetojmë”, shtoi ai.

“Moszbatimi i parimeve kryesore bazë të Helsinkit dëmton integritetin e vetë OSBE-së, sepse mund të dobësojë demokracitë dhe mund të sjellë rreziqe të papranueshme për qytetarët. Pika e tretë është të ndërtojmë stabilitet përmes dialogut”, tha Rama.