Me 94 vota pro, 2 abstenim, 8 kundër Parlamenti miratoi amnistinë për të burgosurit. Katër deputetë nuk preferuan që të votojnë. Në votimin në parim kjo nismë mori 102 vota pro, por një pjesë e deputetëve të opozitës paraqitën amendamente për të zgjeruar rrethin e përfituesve, por që u rrëzuan nga ana e mazhorancës. Deputetët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri propozuan që nga amnistia të përfitojnë edhe ato shtetas që për veprat penale janë në hetim ose në gjykim. Murrizi theksoi se kjo skemë të aplikohet si për burrat, ashtu sicc po veprohet dhe për gratë.

Propozimi me anë të disa amendamenteve u hodh poshtë nga ana e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, cili ngriti pretendimet se dy deputetët e opozitës duan që të Basha të përfitojë nga amnistia. “Nga ky propozim përfiton edhe zoti Basha, ku i bëhet edhe një qokë kreut të PD-së. Deputetë që vijnë nga lista e PD-së, me propozimet e tyre duan t’i japim amnisti për veprën e tij penale që Prokuroria ka ngritur akuzë dhe opinioni ka ngritur e thotë se ky është një proces që vijon do të ishte aspak e ndershme nga Kuvendi. Edhe amnistua juaj nuk i bën nder zotit Basha”, tha Balla.

Por Murrizi në replikën e tij theksoi se PS-ja e zbuloi arsyen me këtë qëndrim se përse nuk e zgjeron përfituesit e amnistisë, duke bërë përzgjedhje selektive. Ai hodhi poshtë se është nisur nga ideja që mund të përfitojë Basha, duke e akuzuar për bashkëpunim PS dhe PD. Kryedemokrati Basha u hetua nga prokuroria për fondet e lobimit me firmën amerikanë në SHBA, ku rezultoi se nuk kishin deklaruar shumën e mbi 670 USD-ve. Por gjykata e Tiranës e mbylli këtë çështje, duke cilësuar se nuk ka prova. Prokuroria e ankimuar në shkallën e dytë vendimin e gjyqtarit që mbylli këtë çështje. Sa i përket amnistisë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka prezantuar nga foltorja e Kuvendit kategoritë që përfitojnë liri nga burgjet nga amnistia. “Vlen të theksohet se kjo amnisti është vlerësuar katërcipërisht. Nga kjo amnisti përfitojnë të gjithë ata që për shkak të veprës penale dhe shkallës së ulët të rrezikshmërisë janë përjashtuar nga dënimi.

Të vetëdijshëm që gratë dhe të miturit janë jo rrallë herë viktima të veprave penale, ky projektligj ka parashikuar lehtësi të ndryshme për gratë dhe të miturit. Nga kjo amnisti do të përfitojnë të gjithë gratë dhe fëmijët për të cilët ka një vendim të formës së prerë deri në 31 dhjetor. Do të amnistohen të gjithë burrat me burgim me një vendim të formës së presë të cilëve i ka mbetur pa vuajtur një dënim deri në 2 vjet. Njëkohësisht do amnistohen ata që kanë qenë 18 ose nën 18 vjeç. Kjo amnisti është ndryshe nga amnistitë e tjera. Nuk do të përfitojnë ripërtëritësit e veprave penale të kategorisë burra. Një nga këto vepra që ka sjellë jo pak ngjarje është futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara. Kjo vepër penale është futur për herë të parë në amnisti”, tha Gjonaj.

Gjonaj bëri me dije se Ministria e Drejtësisë nuk do të ndalojë punën e saj këtu dhe se do të do të asistojë gratë dhe të miturit për t’u integruar në jetën sociale, pas lënies së qelisë. Kryetari i komisionit tw Ligjeve, Ulsi Manja theksoi se “sot janë 5351 të dënuar dhe paraburgosur. 2632 janë të dënuar me formë të prerë do të përfitojnë. Përfitojnë të gjithë dënuarit deri që deri 31 dhjetor që kanë vendim të formës së prerë. Janë 175 të dënuar që përfitojnë, 150 meshkuj, lirohen 23 gra dhe 2 të mitur. 29 gra përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit. Parlamenti pse jo në rast se e gjykon të arsyeshme në një moment të caktuar për shkak të mbingarkesës që është në duart e prokurorisë ta rishohë mundësinë e një amnistie tjetër. Por sot ky është vullneti”.

Parlamenti në seancën e sotme rrëzoi edhe dekretin e presidentit për rishikimin e ligjit “Për komunikimet elektronike ne Republikën e Shqipërisë”. Ky dekret u rrëzua me 78 vota kundër. Ndërsa mazhoranca “ngriu” dekretin e dytë të presidentit Meta që ka të bëjë me ligjin për AMA-n, që njihet ndryshe edhe si pjesë e paketës Antishpifje. PS me anë të deputetit Balla deklaroi se do të presin Komisionin e Venecias dhe më pas të marrin një vendim final.