Betohet Ambasadorja Yuri Kim! Ajo është tashmë zyrtarisht Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri!
“Urimet më të mira dhe suksese në misionin tuaj, me bindjen se do kemi një bashkëpunim të frytshëm!”, thotë ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber teksa ka shpërndarë foto me ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori. Ajo është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.
Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor, ndërsa në Shqipëri do të pasojë Donald Lu.