Sa më shumë shumë i mëshon tezës së tij të preferuar kohët e fundit, se mazhoranca në Shqipëri është duke u konsumuar një grusht shteti, aq më qesharak bëhet. Për një arësye fare të thjeshtë: Sepse ajo që ai po mundohet që ta tregojë në mënyrë të pandërprerë, është thjeshtë një gënjeshtër e madhe.

Po përse do e bënte Presidenti i Republikës sonë një gjë të tillë? E para, sepse në pamundësi për ta thënë të vërtetën e thjeshtë se ai nuk e ndali dot reformën në drejtësi dhe tani prêt që të jetë i ndëshkuari i madh i saj, pasi e di që do të shkarkohet për shkelje shumë të rënda të Kushtetutës.

E dyta, përgjigja mund të gjendet në këtë rast tek “Mein Kampf”-i i Hitlerit, i cili përpara se të bëhej vetë gënjeshtari më i madh i historisë politike të shek. XX do të shkruante: Për të pafytyrët e mëdhenj, GËNJESHTRAT E MËDHA lënë gjithmonë një shenjë pas, edhe pasi ato të jenë gozhduar dhe këtë fakt e njohin të gjithë ekspertët e rrenave në botë, të cilët kurdisin së bashku, sot e gjithë ditën nën artin e të gënjyerit madhërishëm”.

10 të vërtetat e thjeshta që e vërtetojnë gënjeshtrën e madh të Ilir Metës janë: 1.- Në të gjitha përkufizimet e politologjisë “grushti i shtetit është rrëzimi i befasishëm i qeverisë, veçanërisht me anë të forcës ushtarake. Qeveria që mer fuqinë mund të vendosë regjimin e drejtpërdrejtë ushatarak (qeveri ushtarake), ose mund të sundojë nëpërmjet një krahu që mbështetet prej ushatarakëve (junta). Në grushtet e shtetit është vetëm qeveria që pëson ndryshim të befasishëm. Po ti besojmë Ilir Metës i bie që Kryeministri ka rrëzuar Edi Ramën. Ose Edi Rama qeverinë e tij.

2.- Ilir Meta do të futet në histori veç të tjerash, si Presidenti i parë i një Republike në botë, që del në rrugë duke i bërë thirrje qytetarëve të rrëzojnë qeverinë e tyre legjitime që e kanë votuar vetë në një proces zgjedhor të çertifikuar.

3.- Nga përfaqësues i unitetit të popullit shqiptar, Presidenti ynë ka kohë që tenton të bëhet përfaqësuesi kryesor i popullit opozitar.

4.- Ilir Meta ia ka lënë Presidencën opozitës, ndërsa vetë po kërkon që të kapi lidershipin e “Opozitës së Bashkuar”. Ndaj, Lulzim Basha bën sikur është me të, por këto orë ndihet që është njeriu më i lumtur në Shqipëri, sepse kupton që po i hiqet qafe i vetmi rival politik në lojën aktive opozitare.

5.- Presidenti e artikuloi togfjalëshin “grusht shteti”, vetëm pasi Parlamenti ndryshoi ligjin për Gjykatën e Lartë, duke i hapur rrugën ringritjes së institucionit të cilin Ilir Meta e ka bllokuar nga frika e shkarkimit.

6. Nëse ka një njeri që ka tentuar që të bëjë grusht shteti sipas kuptimit që I jep Presidenti, ai e ka emrin Ilir Meta. Një vit më parë çdekretoi zgjedhjet e 30 qershorit për ti hedhur benzinën zjarrit të “revolucionit” të opozitës së rrugës, që nuk ndezi kurrë.

7.- Ilir Meta premtoi se në 2 mars do “pushtojë” të gjitha institucionet që ndodhen në bulevardin e Tiranës. Pra: Qeverinë dhe Parlamentin. Tentoi Sali Berisha në 14 shtatorin e 1998 që ta bënte këtë, dhe të gjithë e dimë se si përfundoi edhe ajo histori, edhe ai vetë dhe ata që e bënë.

8.- Nëse ka një tentativë për “grusht shteti” ajo është pikërisht akti që Ilir Meta paralajmëroi sot se do të realizojë pas disa ditësh. Sepse ajo synon siç u kuptua, rrëzimin e qeverisë legjitime dhe marrjen me dhunë të pushtetit, për të bërë siç u shpreh “drejtësinë e re”.

9.- Pra, siç duket nga kjo, është pikërisht ikja e “drejtësisë” nga thonjtë e Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Lulzim Bashës dhe Sali Berishës dhe reformimi i saj nën kujdesin e posaçëm të SHBA dhe BE, shkaku i vërtetë i gënjeshtrës së madhe me grusht shteti, që Presidenti ka hedhur kohët e fundit në treg.

10.- Shqipëria as e ka patur traditë dhe as ka ndonjë shans që të bëjë grushte shtetit, përmes ushtrisë apo juntave ushtarake. Aq më pak, kjo është e mundur sot, pas 10 vjetësh nga qenia anëtare e NATO. Nëse do e besonim idiotësinë e Ilir Metës se Edi Rama i ka bërë grusht shteti vetes së vet, këtë edhe sikur të donte Presidenti ynë në ikjë, nuk do ta linin as NATO, as SHBA dhe as BE, të cilët vetëm sa shohin me dhimbje dhe gajasen me aluçinacionet e atij që në Kushtetutën e vendit tonë, njihet ndryshe edhe si Kreu i Shtetit shqiptar.

ALPEnews.al