Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj është takuar me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Glauk Konjuvca.

Të dy ministrat nënvizuan në takim se nevojiten marrëdhënie më konkrete në fushën e diplomacisë dhe paralajmëruan se në mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet në Shkodër, do të nënshkruajnë disa marrëveshje.

Konjufca, gjithashtu  në konferencën e përbashkët për media shtoi se Cakaj e ka ndihmuar shumë Kosovën.

Sipas tij, në politikën e përditshme Cakaj e ka mbrojtjen e Republikës së Kosovës dhe interesat e përbashkëta.
“Konsideroj se përfaqësojmë shtetet tona të cilat janë produkt mbi të gjitha i luftës së Kombit shqiptarë për liri e pavarësi me dekada e shekuj. Nuk do të ndryshojë asnjëherë pavarësisht zhvillimeve në politikat tona ditore. Unë mund të them si ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës që nga ana e Republikës së Shqipërisë nuk kemi parë asnjë pozicionim zyrtar që është kundër Republikës sonë, por përkundër kemi parë vetëm ndihmesë. Dhe pjesë e këtij kontributi është edhe Cakaj që përfaqëson zyrtarisht Republikën e Shqipërisë. E  përgëzojë edhe njëherë Cakajn”, tha Konjufca.