BERZH dhe Qeveria Shqiptare kanë nisur zbatimin e programit të financuar nga BE “Programi i turizmit për zhvillimin ekonomik lokal”. Përmes zhvillimit të një turizmi cilësor dhe të qëndrueshëm synohet rritja e ekonomisë dhe shikueshmërisë në këtë fushë.

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm pasi nëpërmjet këtij bashkërendimi të fondeve të Qeverisë shqiptare dhe fondeve të ardhura si kredi nga Banka për Zhvillim Europian, por dhe nga fondet që vijnë si grande nga Bashkimi Europian ne do të kemi shumë mundësi që ti investojmë në dy aspekte. E para shumë e rëndësishme, infrastruktura. Jam këtu për të vazhduar të bëjë avokatin e hotelierëve të zonës së Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës, pra Durrës-Kavajë për rrugën dytësore dhe për përfundimin e gjithë rrugëve të brendshme të këtij destinacioni. Është një premtim i marrë nga qeveria shqiptare nga të gjitha nivelet e kësaj qeverie. Do të doja shumë të isha pjesë e këtij programi, që të kishim mundësi që sezonin e ardhshëm ta gjej rrugën dytësore të këtij destinacioni dhe të gjithë unazën të përfunduar. Do të doja shumë që në fillim të sezonit turistik të kishim mundësi të tregonim që kontributin e madh të hotelierëve shqiptarë ne e përkthejmë dhe e transformojmë në mbështetje buxhetore dhe investime konkrete”, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Programi synon të kontribuoj në turizmin cilësor dhe të qëndrueshëm në rritjen ekonomike dhe konkurrencën në 4 rajone (Berat, Korça, Fier dhe Shkodër). Ai gjithashtu synon që t’i bëjë më atraktive pasuritë kulturore, natyrore dhe të tjera për turistët.

BERZH do të menaxhojë programin dhe do të hartojë një strukturë plotësuese të huasë deri në 60 milionë euro për të bashkëfinancuar, së bashku me grantet e BE-së, prej 40 milionë euro në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Buxheti i përgjithshëm i Veprimit: 105 milionë euro (përfshirë 40 milionë euro si kontribut i BE-së, ndërsa BERZH do të sigurojë burime shtesë deri në 60 milionë euro nën garanci sovrane dhe 5 milionë euro për kredi të vogla për NVM-të përmes institucioneve financiare lokale).

“Pra duam shumë që atë punë të madhe që kanë bërë hotelierët shqiptarë për ta krijuar këtë destinacion në Durrës destiancion në Vlorë, destinacionin në Sarandë, destinacionin në Lezhë, Shkodër, destianacionin në Shqipëri ne ta mbështesim me fonde për të pasur mundësinë që të rrisim nivelin e shërbimeve dhe nivelin e e ofertës. Pra e pranojmë që të gjithë së bashku që turizmi është një ekonomi, është një industri, por që ka nevojë për mbështetje financiare për të prodhuar më shumë para, për të realizuar misionin e tyre, për të krijuar më shumë vende pune, për të prodhuar më shumë mirëqenie në këtë destinacion që është unik”, tha Klosi.

Ndërsa kryetari në detyrë i bashkisë Durrës, Zhyljen Varfaj tha se nëpërmjet programeve dhe strategjive që kjo bashki po ndërmerr synon ta kthej Durrësin në vitrinën e kroçerave dhe jahteve për këtë arsye i mirëpresin programe dhe projekte që kanë si qëllim zhvillimin e turizmit si dhe nismat e reja në këtë fushë.