Nga Eduard Zaloshnja
Kur partitë e djathta e humbën pushtetin më 1997 (pas një rebelimi popullor), votat e tyre pësuan rënie. Por me kalimin e viteve, ato shënuan një rritje graduale, e cila kulmoi në vitin 2009 (shihni grafikun shoqërues). Në atë vit, koalicioni i PD-së mori 710 mijë vota dhe koalicioni tjetër i djathë (Poli i lirisë së LZHK-së, PDK-së etj.) mori 30 mijë vota (gjithsej 740 mijë). Katër vjet më vonë (më 2013), votat e djathta pësuan një rënie të lehtë – koalicioni i PD-së mori 680 mijë vota dhe FRD e Topit mori 30 mijë vota (gjithsej 710 mijë). Ndërkohë, në zgjedhjet e atij viti, votat e partive të majta shënuan një rekord historik – u bënë plot 1 milion… Ndërsa në vitin 2017, votat e partive të djathta (PD, PR, PDIU etj., pavarsisht se s’ishin në koalicion) pësuan një tkurrje dramatike, ndërkohë që votat e partive të majta (PS, LSI, PSD, LIBRA, PDS etj., pavarsisht se s’ishin në koalicion) e tejkaluan nivelin 1 milion.
Fakti që partitë e djathta e kanë rekordin historik (pas vitit 1997) në nivelin e 740 mijë votave, përbën një problem për PD-në, partinë kryesore të djathtë. Kjo, sepse partitë e majta (edhe kur kanë garuar së bashku, edhe më vete) kanë përsëritur dy herë rresht së fundmi rekordin e 1 milion votave. Por LSI-ja, partia e dytë e majtë ka kaluar në koalicion me PD-në tani. A nuk i jep kjo lëvizje shpresë PD-së se mund të krijohet një balancë votash mes dy kampeve në zgjedhjet e ardhshme?
Është e vërtetë se LSI-ja mori 225 mijë vota në zgjedhjet e fundit, por ikja e saj nga pushteti (pas 8 vjetësh) dhe futja në koalicionin e djathtë nuk garantojnë një transferim mekanik të votave në kampin e djathtë. Sepse shumica dërrmuese e votuesve të LSI-së janë tradicionalisht të majtë. Në fakt, në sondazhin e fundit që kam zhvilluar, rezutonte se 1/3 e votuesve të LSI-së janë të gatshëm të votojnë sot për PS-në, ndërsa 1/3 nuk janë gati të votojnë për asnjë parti. Vetëm 1/3 i mbeten besnikë LSI-së, pavarsisht se ajo ka kaluar në koalicionin e djathtë. Me pak fjalë, PD-ja ka një problem madhor, sepse partitë e djathta morën 200 mijë vota më pak se rekordi i tyre 740-mijësh, dhe një problem minor, sepse aleatja e majtë (LSI-ja) mund të transferojë vetëm 1/3 e votave të saj nga majtas, djathtas… (realstory.al)